Ish-ministri Saimir Tahiri ndodhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku po njihet me masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Në seancën e sotme, ish-ministri është përplasur edhe me gjyqtaren e çështjes, Liliana Baku duke i drejtuar pyetje kësaj të fundit.
“A mund të më thotë prokuroria për cfarë kam dhënë urdhër, a ka ndonjë moment ku unë shfaqen në praninë e personave që akuzohen?
Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës.
Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem.
Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy”, mësohet të ketë thënë ai.
Tahiri ka mohuar akuzat e prokurorëve Besim Hajdarmataj e Elisabeta Imeraj.
Tahiri ka thënë se prokurorët e çështjes kanë abuzuar me faktet.
“Abuzuan me faktet, shkruan fakte të gënjeshtërta në shkresë. “-ka thënë Tahiri.
(F.G/Faxweb.al)