Për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të dëborës, zonat malore në vend po hasin vështirësi në qarkullimin rrugor.
Kështu, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka inspektuar nga afër situatën në ‘’Rrugën e Kombit’’ dhe masat e marra nga strukturat e Emergjencave Civile.
Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë sa më shumë të jetë e mundur lëvizjet pasi pritet që temperaturat të ulen edhe më tej.
“Sot nuk kemi asnjë problem, po menaxhohet e gjithë situata në të gjithë Shqipërinë. Unë e gjej këtë rast për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, veçanërisht zonës veriore, verilindore, juglindore, të mos përdorin rrugën, të kufizojnë në maksimum lëvizjet, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme, veçanërisht gjatë natës.
Ditët që vijnë pas do jenë më të ftohta, moti përkeqësohet. Ndaj është e domosdoshme të marrim masa të gjithë qytetarët që të kufizojnë lëvizjet”, tha ministri Tahiri.
Ministri shtoi se të gjitha strukturat shtetërore janë në këmbë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve.
Deklarata e Tahirit:
Jemi përballë ditëve shumë të acarta, por ajo që është e rëndësishme, është që të gjitha rrugët kombëtare, falë masave që kemi marrë, janë të lira dhe të kalueshme.
Ne këtu jemi në Kalimash edhe në “Rrugën e Kombit”, është e gjitha e kalueshme, por duhen mjete të posaçme, zinxhirë.
Policia Rrugore është e gjitha në këmbë për t’u bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, të mos kalojnë pa zinxhirë.
Ndërkohë zona të veçanta, veçanërisht në qarkun e Kukësit, Dibrës, më pak të Lezhës, janë të izoluara për shkak të bllokimit të rrugëve rurale, por kjo është e pashmangshme dhe po mundohemi të marrim masa që të mos ketë asnjë mungesë nga pikëpamja e mjeteve për të jetuar dhe mundësive për të pasur ushqime dhe ndihmën e parë.
Sot nuk kemi asnjë problem, po menaxhohet e gjithë situata në të gjithë Shqipërinë.
Unë e gjej këtë rast për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, veçanërisht zonës veriore, verilindore, juglindore, të mos përdorin rrugën, të kufizojnë në maksimum lëvizjet, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme, veçanërisht gjatë natës.
Ditët që vijnë pas do jenë më të ftohta, moti përkeqësohet.
Ndaj është e domosdoshme të marrim masa të gjithë qytetarët që të kufizojnë lëvizjet.
Shtabet e emergjencës në çdo qark, Prefekti i Kukësit, i Lezhës, i Dibrës, të gjitha institucionet në çdo qark janë në gatishmëri.
E rëndësishme është që e gjithë struktura shtetërore është në gatishmëri për të ndihmuar qytetarët.
Emergjencat Civile janë në gadishmëri.
Janë mbi 100 mjete vetëm në këtë zonë për të ndihmuar që rrugët kombëtare të mos bllokohen dhe ti gjendemi njerëzve.
Struktura e Ministrisë së Transporteve është e gjitha në gatishmëri, Ministria e Shëndetësisë është e gjitha në gatishmëri për tu gjendur njerëzve që kanë emergjenca shëndetësore.
Rezervat e Shtetit janë të gjitha në gatishmëri me ndihma për të gjithë ata që kanë nevojë për ushqime.
Presim kërkesat nga pushteti vendor për të gjitha familjet që kanë nevojë për ushqime në mënyrë që ti gjendemi pranë me sa kemi mundësi.
E përsëris, ditët që vijnë do të jenë shumë më të ftohta, me temperatura shumë më të ftohta se sot, ndaj është e domosdoshme që banorët të kufizojnë në maksimum lëvizjet.
Këto janë ditë të vështira që i përballim vetëm bashkë.
Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, ndaj do të doja ta shfrytëzoja këtë mundësi të komunikimit me ju për t’i transmetuar mesazhin qytetarëve që i gjithë shteti është në këmbë, struktura shtetërore është në këmbë, burimet njerëzore janë në këmbë, infrastruktura është në këmbë, por duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe qytetarët të minimizojnë në maksimum lëvizjet.