Nga Ergys Mërtiri
Seriali Tahiri vazhdon elektrizues, nga skandali në skandal, me fakte të reja që demonstrojnë thellësi të paimagjinueshme të pusetës që i prodhon.
Tashme rezulton se ish-ministri i rendit paska dy patenta, të cilat, për arsye enigmatike, ia paska lënë në dorë shoferit të tij, i cili gjithashtu, për arsye krejt të habitshme i paska harruar në makinën e një të dyshuari, ku u gjetën befasisht nga policia së bashku me 864 mijë euro. Ndërsa faktet bëhen gjithmonë e më kokëforta, ndërsa qelbi gjithmonë e më i madh, vetëm qeveria vazhdon të qendrojë në të njëjtat pozicioine duke pretenduar se “nuk ka prova”. Ajo vazhdon të marshojë krenare “nga fitorja në fitorje”, duke bërë sikur nuk ka ndodhur asgjë, megjithëse gjithçka është ashiqare. I vetmi aset që mund ta ndihmojë një aktor në të tilla raste është paturpsia, aftësia për të vazhduar rrugën serbes, kur i ke lënë brekët shtigjeve e ferrave.
Të molepsur me këtë paturpsi nuk janë vetëm qeveria dhe partia në pushtet, por edhe ambasadorët Lu e Vlahutin. Në kulmin e një skandali të tillë të paprecedent ata vazhdojnë të heshtin. Madje, në mënyrën më cinike, gjejnë kohë të flasin për reformën në drejtësi, ndërsa fakte të neveritshme provojnë çdo ditë më shumë atë që të gjithë e dijmë dhe e konstatojmë çdo ditë, kriminalizimin e shtetit dhe përfshirjen e tij në krimin e organizuar. Heshtja është një dëshmi më shumë që tregon se qeverinë nuk ke nga e zë për ta mbrojtur, por nga ana tjetër, ajo tregon edhe se ambasadat në fjalë janë bërë palë me paudhësitë e saj.
Ambasadorët në fjalë e kanë dëshmuar këtë në vijimsi, në mënyrë të paprecedent, të paktën që prej dy vjetësh.
Lu ka heshtur pwrballw skandaleve tw pwrditshme tw qeverisw shqiptare: drogws, trafiqeve, kriminelwve futur nw parlament-tw cilat janw kryer haptas, ditwn pwr diell. Duke mbyllur sytw përballë kësaj situate, Lu e ka spostuar vëmendjen prej më shumë se një viti tek reforma në drejtësi, e cila po degjeneron sot në një teatër qesharak me emrat e propozuar për ta vënë në zbatim.
Ndërkohë e keqja ka pushtuar gjithçka aq sa qelbi i plasur në duar nuk po shplahet dot.
Pak javë më parë Lu deklaroi se janë 4 familje të mëdha dhe 20 grupe kriminale mjaft të rrezikshme veprojnë në Shqipëri. Natyrisht, ambasadori nuk na rrëfeu hamendësime e thashetheme, kur foli me shifra konkrete mbi rrjetet kriminale në vend. Kuptohet që ai flet mbi raporte që vijnë nga shërbime të specializuara që i njohin mirë gjërat. Tani, kur rezulton me fakte (pasi në realitet e kemi ditur) se merimanga e këtyre rrjeteve qenka vetë ish-Ministri i Rendit, Lu duhet të pranojë se, ose nuk ka dashur të na e tregojë, ose shërbimet qe e informojnë paskan qenë të paafta.
Qoftë për paaftësi, qoftë për paudhësi, Lu duhet të dorëhiqet nga ambasada që drejton! Kryeministri yne e dimë që nuk mund ta bëjë këtë, por të paktën ambasadorët duhet te mos bien në standardin e politikës shqiptare, por të sillen si përfaqësues të kombeve të qytetëruar nga vijnë.