Në një takim zhvilluar ditën e sotme me drejtues të Policisë së Shtetit për strategjinë antikanabis, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, u shpreh nga kjo ministri se lufta ndaj trafikantëve dhe kanabisit do të vazhdojë e do të triumfojë këtë vit.
Duke iu referuar qeverisë së kaluar, ai u shpreh se sot kjo qeveri mban në kurriz ata që ishin më parë në qeveri por nuk bënë gjë. Ai thekson se lufta ndaj drogës që ka nisur që në ditën e parë të qeverisjes do të vazhdojë çdo ditë.
“Luftuam drogën që ditën e parë të qeverisë ndërkohë që vazhdojmë të mbajmë në kurriz ata që ishin në qeveri dhe nuk bënë gjë.
E gjithë Shqipëria ishte e mbushur me kanabis. Trafikantët qetësinë e kishin parajsë në biznesin e tyre, sot ndodh e kundërta sepse të gjithë janë të shqetësuar. Është krejtësisht e kundërta: të gjithë janë të shqetësuar! Dhe shumë mirë. Sepse kjo është arritja jonë më e madhe: shqetësimi i të gjithëve. Askush nuk është i qetë. Askush nuk fshihet. Askush nuk bën “sikur”. Dhe pikërisht kjo qeveri, ne, Policia e Shtetit, i vuri gishtin problemin dhe filluam ta zgjidhnim.
Deri ditën e fundit të detyrës sime do mbyllim kapitullin e Shqipërisë me kanabis, kaq sa kemi bërë nuk mjafton por kemi fuqinë të bëjmë akoma, kjo fuqi është këtu. Politika 25 vjet iu ka mbushur me fjalë, vaska floriri, por iu ka lënë në mjerimin e tuaj. Trafikantët kanë pasur kostum e kollare për të qeverisur këtë vend. Kjo qeveri, kryeministri, e kushdo që e do këtë vend më shumë se karrigia është aty për të sjellë mbarë, për të zgjedhur varfërinë, papunësinë.
Siç po bëjmë reformën në drejtësi do të bëjmë edhe ekonominë. Kjo qeveri ka një plan për të bërë shtet, për të bërë reformën në drejtësi. Këtë vit ne do të fitojmë luftën tonë me drogën, siç fituam me ata që vidhnin energjinë, që nuk zbatonin rregullat e qarkullimit, siç bëmë policinë që duam dhe do të vazhdojmë ta bëjmë për Shqipërinë që duam.”, u shpreh ndër të tjera Tahiri. (XH.A/SHUPLAKA)