Nga Kombinati, Saimir Tahiri, sot, ka ngacmuar aleatin e PS-së në koalicionin qeverisës, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Gjatë fjalës së tij, Tahiri u shpreh se koalicioni më i madh i Partisë Socialiste është me njerëzit. Ndërsa, theksoi se pas 18 qershorit, kryeministër i vendit, do të jetë Edi Rama.
Deklaratat e ish-ministrit të Brendshëm, vijnë pas daljes publike të Ilir Metës ditën e sotme në krah të kryebashkiakut Veliaj dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.
“Ne nuk do lejojmë që çadra të mbajë peng Shqipërinë. Për këtë thonë që zgjedhjet duhen shtyrë, në 18 qershor do shkojmë në kutitë e votimit. Ata duan të na bëjnë të dukemi sikur jemi njëlloj. Ne nuk jemi njëlloj me ata që qeverisnin deri dje, që e plaçkitën Shqipërinë deri dje. Janë futur në çadër për ta mbajtur peng drejtësinë. Zgjidhja është në 18 qershor në kutinë e votimit. Koalicioni ynë më i rëndësishëm është këtu, në çdo lagje në çdo qytetet. Kudo ku ka shqiptarë që e duan Shqipërinë. Ky është koalicioni ynë është me shqiptarët, për Shqipërinë që duan. Me ata që duan shtet, që duan drejtësi. Koalicioni ynë është me ata që e duan shtetin më të fortë, gjyqtarin e duan më të fortë. Është më i rëndësishëm qytetari”. tha ai. (M.D/ Shuplaka)