Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka vizituar sot në spital gazetarin Elvi Fundo, që u u dhunua ditën e sotme në “Stacionin e Trenit” në Tiranë nga perosna të paindetifikuar.
Gjatë vizitës së tij ministri ka qenë i shoqëruar edhe nga Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj.
“Erdha të vizitoj, bashkë me drejtorin e Tiranës, gazetarin Fundo. I shpreha gjithë keqardhjen time për gjithçka ka ndodhur dhe e garantova, bashkë me drejtuesit e policisë, që do bëjmë maksimumin që kjo ngjarje të zbardhet dhe përgjegjësit të dalin para përgjegjësisë. Do i bëja thirrje kujtdo, mbi të gjitha opozitës që të ndalë një orë e më parë politizimin e kësaj historie. Nuk bëhet politikë dhe nuk fitohen vota duke politizuar çdo ngjarje në Shqipëri. E mira është që të bëhemi të gjithë bashkë për të garantuar që Shqipëria të bëhet një vend më i sigurt dhe ku gjithkush të ketë mundësi të ushtrojë profesionin e tij pa pasur asnjë problem dhe asnjë çështje shqetësuese. E dëgjova pak deklaratën e opozitës dhe të them të drejtën nuk ndjej gjë tjetër veçse trishtim”, u shpreh Ministri i Brendshëm.
Sipas ministrit duhet të vihen para drejtësisë ata që kryen këtë akt.
“Siç të gjithë duhet të bëhemi bashkë të inkurajojmë forcat e zbatimit të ligjit që të bëjnë gjithçka është e mundur për të çuar përpara drejtësisë ata që mbajnë përgjegjësi për këtë rast apo për cilin do rast tjetër”, tha Tahiri. (J.V/Shuplaka)