Vetëm tre ditë më parë klubi i Skënderbeut ka marrë një shpërblim prej 105 mijë eurosh. Këtë shifër e ka bërë të ditur vetë Presidenti i korçarëve, Ardian Takaj. I cili përmes një intervistë për “Panorama Sport” u shpreh i çuditur për deklaratën e zyrtarit të UEFA-s në lidhje me ekipin kampion.
Kreu i klubit bardhekuq theksoi që historia e dënimit të ekipit ka përfunduar dhe se nuk është në dijeni të një hetimi tjetër.
Reagimi
“Ka mbaruar ajo histori, u dënuam një herë. Nuk jam aspak në dijeni të një tjetër hetimi që mund të hapet për klubin tonë. Tani po e mësoj që një zyrtar i lartë i UEFA-s paska përmendur emrin e Skënderbeut. OK, nuk e pengon askush UEFA-n për të hetuar gjithë ekipet europiane.
Kjo është puna e tyre, por unë di të them se kontakti ynë i fundit me institucionin më të lartë të futbollit europian është jo më larg se të hënën, kur jemi njoftuar për një premio sa i përket ‘fair-play”-it financiar. UEFA ka vlerësuar klubin tonë dhe e ka shpërblyer me 105 mijë euro. Kaq mund të them, ndërsa për gjërat e tjera s’kam çfarë të flas. Për çështjen e Skënderbeut është marrë një vendim nga UEFA dhe KAS-i e ka lënë në fuqi.
Nuk e di këtë praktikë, që ne tashmë do të rihetohemi për të njëjtën çështje. Kjo nuk është dëgjuar në asnjë vend të botës, por derisa ka folur shefi i zyrës juridike, s’kam çfarë të them. E përsëris, nuk kemi asnjë informacion këtë çështje”, është shprehur dje në mbrëmje presidenti i kampionëve në fuqi.
Prej katër sezonesh, Takaj investon te Skënderbeu, duke qenë në statusin e kreut të klubit. Në epokën e tij, përveç titujve radhazi, skuadra korçare mori pjesë për herë të parë në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Korçarët në verën e këtij viti u dënuan nga UEFA për trukime, duke qëndruar jashtë Ligës së Kampioneve në edicionin e fundit.