Humbja në kryeqytet kundër Partizanit ka qenë një goditje e madhe për kampionët në fuqi, të cilët tashmë e shohin kreun t’u largohet me 5 pikë. Gjithçka është komplikuar për Skënderbeun, që asnjëherë në këto sezonet e fundit nuk ka qenë në të tilla pozita kaq të vështira për të synuar titullin kampion.
Prilli ka qenë muaji ku korçarët bënin gjithnjë diferencën, por këtë herë humbja ndaj një rivali direkt si Partizani ka bërë që Skënderbeu të bëjë disa hapa pas. Dështimi në kryeqytet ka ulur akoma edhe më shumë moralin te bardhekuqtë, por gjithsesi, duke parë një situatë të tillë, ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e presidentit Ardjan Takaj.
Ky i fundit, menjëherë pas ndeshjes kundër Partizanit, ka takuar lojtarët dhe bashkë me ta edhe trajnerin e Skënderbeut, Ilir Daja, për t’u dhënë kurajë. Në këtë moment delikat të sezonit, kreu i klubit kërkon që ekipi të jetë i përqendruar deri në fund, duke shpresuar te përmbysja e madhe.
TAKIMI
Burime të “Panorama Sport” pranë skuadrës korçare kanë treguar dje detajet e takimit mes lojtarëve dhe presidentit Takaj pak orë pas ndeshjes. Sipas kreut të klubit, asgjë nuk ka mbaruar, qoftë edhe për atë se Skënderbeu është në garë edhe për Kupën e Shqipërisë. Takaj fillimisht ka përgëzuar futbollistët ata për ndeshjen e zhvilluar ndaj Partizanit dhe më pas ka kërkuar nga ekipi që të mos dorëzohet për objektivin kryesor, edhe pse gjithçka nuk varet nga Skënderbeu tashmë.
“Doja t’ju përgëzoja për lojën e zhvilluar ndaj Partizanit. Ishte pikërisht ndeshja e duhur për të luajtur në atë mënyrë, duke imponuar lojën te kundërshtari. Dukej qartë që edhe fati nuk ishte në asnjë moment në krahun tonë, prandaj nuk kemi se çfarë të bëjmë më shumë në ditë të tilla. Është moment delikat për ne, prandaj duhet që të jemi sërish të përqendruar për të fituar çdo ndeshje nga ky moment deri në fund të sezonit.
Janë edhe 27 pikë në lojë, një fazë e plotë kampionati. Diferenca nuk është e vogël, por as e parikuperueshme. Pavarësisht se tashmë asgjë nuk varet nga ne, mund të them se ne duhet të vijojmë të luajmë në këtë mënyrë, duke treguar se çfarë jemi të aftë të bëjmë.
Nëse bëjmë të tilla paraqitje si ndaj Partizanit, shanset janë mjaft të mira për të qenë në garë deri në fund. Natyrisht jemi në këtë pikë për gabimet që keni bërë në ndeshjet e kaluara, kështu që kërkoj nga ju të mbani ritmin, duke bindur me lojë dhe rezultate”, ka thënë presidenti i Skënderbeut para lojtarëve.
TRAJNERI
Në të njëjtën linjë me Takajn ka qenë edhe trajneri Ilir Daja, i cili, menjëherë pas ndeshjes, i ka përgëzuar lojtarët duke u thënë se me lojën që bënë, nuk duhet të dekurajohen.
“Jam krenarë me ju, me lojën dhe dëshirën që treguat në fushë. Ishte një ndeshje e luajtur në mënyrën e duhur, por fati i keq nuk na lejoi që të dilnim me një rezultat pozitiv”, theksoi Daja pas ndeshjes me Partizanin. Tashmë Skënderbeu nuk duhet të bëjë më asnjë hap fals, duke fituar të gjitha ndeshjet dhe shpresuar më pas në një frenim të kundërshtarëve për titull, në mënyrë që deri në përballjet direkte, diferenca të jetë më e vogël./ Panorama sport

Discussion about this post