Kryeministri britanik Keir Starmer do të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump në fund të muajit korrik, sipas një njoftimi nga zyra e tij në Downing Street.
Takimi do të mbahet në Skoci, gjatë një vizite private të Trump, i cili zotëron dy fusha golfi në këtë zonë.
“Deri tani, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Trump do të zhvillojë një vizitë private në Skoci më vonë gjatë këtij muaji,” deklaroi zëdhënësi i kryeministrit Starmer.
“Duke qenë se bëhet fjalë për një vizitë private, nuk do të ketë takim zyrtar dypalësh, por kryeministri ka pranuar me kënaqësi të takohet me presidentin gjatë qëndrimit të tij në vend,” shtoi ai. Kjo vizitë nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë.
Ndërkohë, Donald Trump pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar në datat 17–19 shtator, pas një ftese zyrtare nga Mbreti Charles.
Ai do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Melania Trump, dhe do të pritet në Kalanë e Windsor, sipas një deklarate të Pallatit Buckingham.
Megjithatë, Trump mbetet një figurë jo shumë e pëlqyer në Britani sipas një sondazhi të fundit të institutit YouGov, vetëm 16% e britanikëve kanë një mendim pozitiv për presidentin amerikan, ndërsa 70% shprehen negativisht.
Ftesa nga Mbreti Charles iu dorëzua Trump-it më 27 shkurt nga vetë Starmer gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë, përpara kamerave televizive. Trump e priti me entuziazëm këtë “nder të madh” dhe publikoi letrën, ndërsa e quajti Mbretin “një njeri të mrekullueshëm”.
Ftesa nuk përmbante datë apo vend konkret, por përmendte një takim paraprak jozyrtar në Skoci, në Balmoral ose në Dumfries House, një rezidencë historike e shekullit XVIII – dhe një vizitë zyrtare në një datë të mëvonshme. Trump propozoi menjëherë që pritja zyrtare të bëhej në Windsor.
Sipas gazetës britanike The Times, kryeministri Starmer ka ushtruar presion mbi Mbretin Charles që ta ftonte Trump-in, me synimin që Britania të përfitonte nga admirimi i theksuar i presidentit amerikan për familjen mbretërore.
Fillimisht, Pallati kishte rezerva për ftesën, për shkak të deklaratave të Trump për mundësinë e aneksimit të Kanadasë – një vend ku kreu i shtetit është pikërisht Mbreti Charles.
Vlen të theksohet se vizitat zyrtare në Britani organizohen vetëm pas propozimit të qeverisë.