Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, mori pjesë në Takimin Trepalësh të ministrave të Jashtëm të Kroacisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, që u zhvillua sot në Split të Kroacisë.
Në fokus të takimit ishte edhe dimensioni i sigurisë, lufta ndaj rrezikut terrorist, në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.
Palët folën për perspektivën e zgjerimit të dialogut politik mes vendeve, diskutimin mbi bashkëpunimin në fushën sigurisë e ekonomisë, infrastrukturës, transportit, mjedisit, turizimit dhe energjisë duke u ndalur kryesisht në bashkërendimin mes tre vendeve që realizimi i gazsjellsit adriatiko-jonian të përbëjë prioritet për vendet e BE-së.
Tre ministrat ranë dakord për konsultime të ngushta dhe qasje të përbashkët në përgatitje të samitit të ardhshëm të NATO-s, si dhe diskutuan mbi mundësinë e kryerjes së takimeve trepalëshe me administratën e re në SHBA, si një mundësi për një qasje të bashkërenduar në përballimin e sfidave me të cilat perballet rajoni ynë dhe konsolidimin e kursit euro-atlantik të vendeve tona.
Në ndërhyrjen e tij, ministri Bushati vlerësoi bashkëpunimin tashmë të konsoliduar në këtë format trepalësh dhe riafirmoi qëndrimin dhe rolin e Shqipërisë në funksion të forcimit të bashkëpunimit të vendeve tona, në fushat e mësipërme, të interesit të përbashkët. “Ajo që ne kemi të përbashkët është përcaktueshmëria euro-atlantike e vendeve tona dhe perspektiva e përbashkët europiane. Vendet tona kanë bërë një rrugë të gjatë për proceset euro-atlantike, ku kemi kontribuar dhe vijojmë të kontribuojmë për stabilitetin demokratik të rajonit tonë. Ne ndajmë pikëpamjen që bashkëpunimi në Europën Adriatike duhet të përforcohet nëpërmjet projekteve konkrete në fushën e infrastrukturës, transportit, energjisë, mjedisit dhe turizmit. Takimi tjetër i ketij formati trepalësh do të mbahet në një qytet tjetër të Europës Adriatike, në Durrës” – theksoi ministri Bushati. (E.K/SHUPLAKA)