Takimi historik që pritet të ndodhë mes Korresë së Veriut dhe asaj të Jugut është përgatitur deri në detaje.
Kështu Koreja e Jugut ka zbuluar edhe menynë që do të shërbehet në darkë pas samitit të parë midis udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon-Jae-in të premten në Shtëpinë e Paqes në anën jugore të fshatit Panmunjom.
Darka midis dy udhëheqësve është përgatitur me vëmendje për të pasqyruar domethënien historike të takimit.
“Kjo meny është përzgjedhur për të nderuar ata që janë përpjekur për të arritur paqen dhe bashkimin në Gadishullin Korean gjatë viteve të fundit”, ka thënë zëdhënësi presidencial i Koresë së Jugut, Kim Eui-kyeom në një konferencë shtypi.
Ndërkohë detajet e menysë janë publikuar të martën në një faqe interneti të qeverisë së Koresë së Jugut, e lansuar javën e kaluar, kushtuar tërësisht për mbulimin e samitit ndër-korean, të cilit iu dha slogani “Paqe, një fillim i ri”.
Presidentit jugor do t’i shërbehet peshk, për t’i kujtuar fëmijërinë e tij, pasi ishte rritur në qytetin bregdetar Busan, ndërsa homologut të tij Kim Jong Un do t’i shërbehet një lloj specialiteti zviceran të njohur si “Rosti” për t’i kujtuar “kohën e shkollimit të tij në Zvicër”.
Samiti në fjalë pritet që pikë kryesore të diskutimeve të ketë negociatat për programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Kim Jong Unë kishte deklaruar disa ditë më parë se do të anulonte testet bërthamore pasi nuk ishin më të nevojshme. (B.H/Faxweb)