Presidenti Thaçi humb orarin e parë që i caktoi Kryeministri Kurti për takim. Thaçi i ka edhe dy mundësi tjera gjatë ditës që t’i përgjigjet ftesës.
Kryeministri Albin Kurti e ka ftuar sërish Presidentin Hashim Thaçi për takim sot.
Thaçi nuk i është përgjigjur kësaj ftese akoma, ndonëse ka pasur raportime se ai do ta pranojë ftesën, shkruan Expres.
Megjithatë, i pari i vendit e ka humbur tërminin e parë të takimit, atë të orës 9:00, që Kurti shkroi se i përshtatej.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përmes së cilës ka kërkuar nga ky i fundit një takim një takim mes tyre gjatë ditës së sotme duke i caktuar edhe oraret se kur e ka të përshtatshme.
Këtë takim, Kurti e kërkon që të bashkërendojë veprimet me kreun e shtetit rreth politikës së jashtme ndërsa thekson se përveç të tjerave do të sillte zhvillim ekonomik e siguri kombëtare.
“Përfaqësimi i Kosovës do të jetë sa më i denjë në arenën ndërkombëtare dhe këtë mund të arrijmë duke qenë të harmonizuar në qëndrimet tona të cilat përveç suksesit do të garantonin edhe zhvillimin ekonomik e siguri shtetërore kombëtare” thuhet në letrën e Kurtit.
Letra e kryeministrit vijon më tej duke thënë se prezantimi i Republikës duhet të jetë i njëzëshëm dhe se dallimet duhet të mbesin brenda vendit, duke mos ndikuar kur e përfaqësojnë shtetin dhe shton se Serbia është e unifikuar në qëndrimet që janë të dëmshme për Kosovën.
Nga ana e Presidentit Thaçi, deri më tani nuk ka një përgjigje ose të paktën nuk dihet publikisht për një gjë të tillë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)