Ambasada amerikane ka reaguar pas takimit që Yuri Kim pati sot më herët me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj dhe atë të PS Taulant Balla.
Mësohet se gjatë takimit Kim ka nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit midis partive, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë si dhe për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë. Takimi vjen pas lajmeve se Rusia ka financuar me 500 mijë euro PD në zgjedhjet e 2017, kur kryetar ka qenë Lulzim Basha.
“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kryetarët e Grupeve Parlamentare Taulant Balla (PS) dhe Enkelejd Alibeaj (PD) për të diskutuar një gamë të gjerë çështjesh në agjendën e Parlamentit dhe marrëdhëniet dypalëshe SHBA-Shqipëri. Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që ka bashkëpunimi i të gjitha partive politike, për të rritur transparencën dhe përgjegjshmërinë e të gjitha institucioneve, për të refuzuar përpjekjet për të minuar demokracinë e Shqipërisë, për të përmirësuar rolin mbikëqyrës të Parlamentit dhe për të çuar Shqipërinë para me vendosmëri drejt përmbushjes së kërkesave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi gjithashtu që tani është koha për të shtuar përpjekjet për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Parlamenti e kaloi njëzëri në 2016 dhe që po fillon të tregojë rezultate”, shkruan ambasada