Ditën e nesërme në orën 09:00 opozita ka konfirmuar takimin me kreun e shtetit Ilir Meta në ambientet e Presidencës. Kjo vjen pas ftesës së Metës për t’u takuar me krerët e partive opozitare ku mësohet se do të marrin pjesë kryetari i PD Lulzim Basha, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, kryetari i PR Fatmir Mediu kryetari i LZHK Dashamir Shehi dhe kryetari i PAA Agron Duka.
Ndërkohë në takim pritet të marrin pjesë edhe Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi dhe Nard Ndoka
Ky është një hap nga ana e Presidentit Meta për gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin e krijuar në emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Pak minuta më parë Meta ka takuar një delegacion të përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së ku i ka falenderuar për mbështetjen ndaj Shqipërisë. Sipas Presidentit, plotësimi I 9 kushteve të Bundestagut gjerman janë harta e vetme për arritjen e një përgjigjeje positive për hapjen e negociatave. Ai thekson se mbështet me forcë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese porn ë bazë të ligjit si dhe zbatimin e Reformës në drejtësi.
“Duke ju përgjigjur interesimit për situatën politike në vend, Presidenti Meta theksoi me forcë domosdoshmërinë e zbatimit të reformës në drejtësi vetëm sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më pare. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë përsëri objekt shqyrtimi në Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020. Në këto 6 muaj, 9 kërkesat e Bundestagut duhet të shërbejnë si harta e vetme e rrugës për Shqipërinë që mund të çojë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella. Në këtë takim nuk mori pjesë ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt i cili u mësua se nuk u lejua të futet brenda Presidencës ndërsa Meta i ka dërguar një letër eprorëve të tij ku thekson se ka komentuar dekretet e tij jashtë kompetencave dhe se ka fyer protestuesit e Unazës së Re para Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Meta nuk ka dhënë asnjë prononcim për vendimin e tij të shpalljes si të padëshiruar në Presidencë të ambasadorit Borchardt.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post