Pas takimit me zyrtaren e Lartë të Bashkimit europian Federica Mogherini, kreu i opozitës Lulzim Basha zbulon se për çfarë ka diskutuar me të.
Basha tregon se i ka folur Mogherinit mbi situatën e krimit në vend, kanabisit dhe lirimit të kriminelëve nga burgu.
“Në mbrëmje zhvillova një takim me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së Federica Mogherini. E njoha atë me situatën e rëndë që sundon në vend, situatën e krimit të lidhur me pushtetin, të drogës dhe parave të drogës, moszbatimit të ligjit të dekriminalizimit, lirimit të kriminelëve nga burgu me ndërhyrje politike, dështimit të zgjedhjeve të lira në Korçë më 2014, anembanë vendit më 2015, në Dibër në 2016 dhe dështimit të reformës zgjedhore.
E njoha, gjithashtu, Zonjën Mogherini me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita përmes krijimit të një qeverie të vullnetit të mirë që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo qeveri do të zbatojë deri në fund ligjin për dekriminalizimin, do të parandalojë dhe luftojë kultivimin dhe trafikun e drogës, duke krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kështu do t’i hapet rruga edhe zbatimit të reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.” (D.D/Shuplaka)