Mbahet këtë të enjte, 3 Prill, në Tiranë takimi rajonal ‘Dialogu social në vendet e Ballkanit Perëndimor’. Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, gjatë fjalës së saj, vlerësoi se Plani i Rritjes së BE për rajonin dhe integrimin e dy tregjeve do të sjellin mundësi të shumta për punonjësit dhe bizneset.
Ajo tha se kanë krijuar një urë bashkëpunimi me partnerët dhe BE, ndërsa shtoi se synojnë të rrisin fokusin te grupet e interesit, dhe po komunikojnë me evropianët për të rritur përfaqësimin e tyre.
“Ne po e bëjmë këtë me model partneriteti. Kjo është e qartë sepse plani i rritjes është partneritet i BE me Ballkanin Perëndimor dhe integrimi i këtyre tregjeve. Kjo do të sjellë mundësi për punonjësit, por edhe mundësi për atë që quhet zinxhiri i vlerës që do të thotë rritja e njohurive të bizneseve dhe punonjësve. Nga ana tjetër ka disa programe të BE që po vihen në zbatim në vendet tona. Falenderojmë BE për faktin që fusha si dialogu social, punësimi dhe veçanti rinia, i kanë përparësore dhe këtë e kanë treguar me programet BE për rininë. Ne kemi krijuar këtë urë me partnerët tanë sociale dhe nga BE me bashkëpunimin me komiteti ekonomiko-social të BE. Duam të gjejmë një model më të mirë edhe për grupet e interesit dhe përfaqësimin e tyre. Po shikojmë modelin e komitetit se si përbëhen këto komisione. Evropa është këtu.”, u shpreh Dhuka.