Zbardhen detajet e takimit të dështuar që u zhvillua sot në ambientet e Presidencës. Kjo e fundit reagon pak minuta pas përfundimit të takimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha me Kreun e Lartë të Shtetit, që pasoi takimin me kryeministrin Rama.
“Palët prezantuan pikëpamjet e tyre”, citohet në njoftim. Mësohet se Presidenti Nishani do vazhdojë të mbajë kontakte për gjetjen e një zgjidhje të mundshme mbi bazë kompromisi mes palëve.
“Me ftesë të Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani sot u zhvillua një takim midis Kryeministrit të vendit z. Edi Rama dhe Liderit të opozitës z. Lulzim Basha.
Gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj.
Presidenti i Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi.”, citohet në njoftimin e Presidencës.
Ditën e djeshme, Kreu i Lartë i Shtetit u kërkoi Ramës dhe Bashës që të uleshin në një tryezë bisedimesh me qëllim zgjidhjen e krizës politike, kërkesë që mori përgjigje pozitive nga të dy palët.
(XH.A/SHUPLAKA)