Kryetari i partisë Zgjidhja Koço Kokëdhima ka reaguar pas takimit të kryeministrit Rama me presidentin Meta gjatë ditës djeshme.
Kokëdhima thotë se kjo qeveri po shkërmoqet, ndaj duhet të nxitohet për reformën zgjedhore. Takimin mes Ramës dhe Metës Kokëdhima e shikon si një takim për çështje pazaresh pasi nuk është diskutuar asnjë nga hallet e mëdha të shqiptarëve.
E njëjta gjë sipas tij ndodh edhe me PD-në që në vend që të sulmonte qeverinë për të luftuar kabinetin e korruptuar, mjaftohet me konstatimin se “politika nuk është lojë shahu”.
Sipas Kokëdhimës presidenti Meta në vend që të dekretonte ditën e zgjedhjeve duhej më parë të kishte kërkuar afatin e fundit për reformën zgjedhore që depolitizon KQZ-në.
“Ai nxiton të dekretojë ditën e zgjedhjeve vendore, edhe pse përpara caktimit të 30 qershorit, ai duhet të kishte kërkuar afatin e fundit për reformën zgjedhore që depolitizon KQZ-në, ua heq numërmin nga duart PS-PD-së dhe garanton zgjedhje demokratike si në të gjitha vendet e tjera”, deklaron ai.
DEKLARATA E PLOTË
Si u luajt loja? Për kë u sakrifikua fili që doli në fushë i pambrojtur? Ata biseduan për kandidatët për postin e kryetarit të KLSH-së, për vendet bosh në KQZ, për lënien e ndonjë bashkie kur të vijnë zgjedhjet, për ndonjë tender a koncension të rradhës si zakonisht. Por ata nuk diskutuan për asgjë nga shqetësimet e mëdha e kryesore të shqiptarëve. Po ndodh ajo që ka parashikuar Partia “Zgjidhja”: Shteti dhe Kushtetuta ia kanë lënë vendin pazareve të tre vetëve, që pasi kanë grabitur sovranitetin e popullit, luajnë shah fshehurazi publikut. Populli është nxjerrë jashtë loje.
E lexoni PD-në? Ajo do ta shfrytëzonte këtë moment për të luftuar kabinetin e korruptuar qeveritar dhe për të imponuar reformën zgjedhore të shumëpritur, por u mjaftua vetëm të konstatonte se “politika nuk është lojë shahu”. Sigurisht, kur je pjesë e pazareve, nuk ke se si të veprosh. Do të mbetesh hijeve si matrapaz. Të dy palët e kanë kthyer Kushtetutën në një letër higjenike. Edhe kolapsi institucional i raporteve Qeveri-Presidencë dëshmon krizën e sistemit tonë politik. Gjykata Kushtetuese është bllokuar dhe eliminuar qëllimisht. Vendi është pa gjykata, pikërisht për t’i lënë fushë të lirë tenderëve korruptivë, pazareve politikë në kurriz të Kushtetutës, që të mos jepet llogari për marrëveshjet antikombëtare, që të mos ketë ndëshkim dhe përgjegjësi dhe asnjë kontroll mbi këta tre-katër njerëz që marrin vendime në emër të shqiptarëve të sotëm dhe atyre që do lindin e jetojnë këtu edhe në brezat e ardhshëm. Shumë qytetarë shqiptarë nuk janë indiferentë dhe shqetësohen e brengosen për rënimin e demokracisë në Shqipëri. Atyre nuk iu mungon aftësia për të kuptuar situatën, por po e ndjekin me vëmendje. Mendojnë çdo ditë se si t’i japin fund këtij sistemi tiranik të sundimit të tre-katër bajlozëve të korrupsionit.
Po presidenti? Ai që duhet të ishte garant i kushtetutës dhe që duhet të dilte mbi palët politike? Ai që me të drejtë hynte në grevë urie bashkë me deputetët e tij të LSI-së, pas marrëveshjes Rama-Berisha të 21 prillit 2008, që përsëri me të drejtë turrej mbi spikeren e kuvendit, Topalli, për të mbrojtur partinë e tij nga pakti i dy të mëdhenjve që eliminon çdo lojtar tjetër politik? Ai tani hesht dhe është pjesë e lojës, edhe pse Kushtetuta që duhet të mbrojë e thotë se zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të barabarta. Ai nxiton të dekretojë ditën e zgjedhjeve vendore, edhe pse përpara caktimit të 30 qershorit, ai duhet të kishte kërkuar afatin e fundit për reformën zgjedhore që depolitizon KQZ-në, ua heq numërmin nga duart PS-PD-së dhe garanton zgjedhje demokratike si në të gjitha vendet e tjera.
Kjo qeveri e korruptuar po shkërmoqet. Janë shenjat se do të qeverisë me zëvendësministra si Fatos Nano në ditët e fundit të pushtetit. Në këtë moment shtrohet pyetja: Çfarë do të bëjmë? Do të rrimë të vështrojmë kur këta të bëjnë rotacion pazaresh apo do të kërkojmë zgjedhje të lira e të barabarta, të pakontrolluara nga PS-PD dhe jo të paracaktuara prej tyre? Shërimi i vendit dhe dalja nga kriza permanente, kërkon që populli të marrë në dorë fatet e tij duke realizuar të drejtën kushtetuese për zgjedhje të lira dhe të barabarta. ZGJIDHJA dhe tryeza e forcave që luftojnë për zgjedhje të lira, ua ka bërë tashmë të qartë OSBE/ODIHR-it dhe ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-ve, se është urgjente reforma zgjedhore. Vonesa do të çojë në përsëritjen e gabimeve të së kaluarës dhe në tensione e konflikte sociale që mund të destabilizojnë vendin. Sot është dita për reformë të thellë zgjedhore, për të shpëtuar vendin. Ose do të çlirohen zgjedhjet, ose do shkojmë në luftë. Trungu i kalbur i sistemit politik që bazohet në marrëveshjen PS-PD në vend të lirisë së votës dhe sovranitetit të popullit, po bie. Të mos gjendemi të papërgatitur. Çdo qytetar i mirë të bëjë pjesën e tij të përgjegjësisë. Vulgu i militantëve të mashtruar, të manipuluar apo servilë meriton tiraninë, meriton të jetojë i skllavëruar!
(B.H/Faxweb)