Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin, janë takuar këtë të hënë në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki.
Presidenti i Trump i tha presidentit rus Vladimir Putin se shpreson që të dy vendet e tyre mund të kenë një “marrëdhënie të jashtëzakonshme” e cila mund të shkojë përpara. Deklarata e tij erdhi vetëm pak orë pasi ai fajësoi politikën amerikane – jo Putinin – për gjendjen jo të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve .
“Unë mendoj se ne kemi mundësi të mira së bashku si dy vende që, sinqerisht, ne nuk kemi pasur një marrëdhënie shumë mire viteve të fundit,” tha Trump. “Mendoj se do të përfundojmë me një marrëdhënie të jashtëzakonshme”.
Trump arriti të hënën pasdite në pallatin presidencial finlandez për atë që ai e quajti një samit me Putinin, duke shpresuar përsëri se takimi i tij personal mund të ndryshojë marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Rusisë në vitet e fundit.
Përmes një mesazhi në Twitter, kreu i Shtëpisë së Bardhë sulmoi atë që e quajti “budallallëkun” e paraardhësve të tij, si dhe hetimin e “sajuar” – sipas tij, – mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se rruga për përmirësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi shkon përmes një kuptimi të qartë të agresionit rus dhe shkaqet rrënjësore të mosmarrëveshjeve në marrëdhënie, por Trump po sinjalizon një kurs tjetër.
Marrëdhëniet mes Amerikës dhe Rusisë janë acaruar së tepërmi që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014, e tani pritet me kureshtje të madhe se çfarë do të prodhojnë bisedimet në kryqytetin neutral finlandez.
Samiti vjen pas ngritjes së akuzave ndaj 12 oficerëve të inteligjencës ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane. Në Shtetet e Bashkuara pati zëra që kërkuan anulimin e këtij takimi, por presidenti nuk ua vuri veshin.
Nga sa sqaroi këshilltari i Sigurisë amerikane, John Bolton, dy udhëheqësit kanë rënë dakord, që për bisedimet të mos ketë një axhendë të paracaktuar.
Një takim pra që nuk ka axhendë, me shumë pak përgatitje dhe, duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e Donald Trumpit, askush – thonë analistët, – nuk e parasheh dot me saktësi se çfarë do të ndodhë atje, ndërkohë që udhëheqësi amerikan, veç të tjerash e ka bërë të qartë se nuk dëshiron asnjë regjistrim të bisedës së tij me Putinin.
Trump dhe Putin erdhën ndaras në pallatin presidencial finlandez, rreth 45 minuta pas orarit. Trump qendroi në hotelin e tij, ndërkohë që priste Putin, i cili është i njohur për ngjarjet e rëndësishme që do të diskutoheshin.
Më pas, ata hynë në një dhomë në pallatin presidencial së bashku para se të paraqisnin një përmbledhje të shkurtër, përpara një grumbulli kamerash dhe gazetarësh, ku Trump e përgëzoi Putin edhe njëherë “për një realizim të shkëlqyer të Kupës së Botës”. Të dy liderët shtrënguan duart pasi folën, para se gazetarët të dilnin jashta.
(M.Q/Faxweb)