Me anë të një statusi në facebook, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është shprehur se ndërkohë që çmimi i naftës vijon të bjerë në tregjet ndërkombëtare, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë në rajon dhe ndër më të lartët në Europë.
Tabaku thotë se: “nëse 1 litër naftë në bursat e NYSE shitet me 0.31 cent, në Shqipëri një litër naftë shitet 182 lekë (1.66$). Kjo do të thotë që një familje me të ardhura mesatare prej 50 mijë lekësh në muaj i duhet të shpenzojë 10.8% të të ardhurave ditore për 1 litër naftë”.
Sipas saj, falë rritjes së taksës së qarkullimit si dhe taksave dhe tarifave të tjera, nafta po shtrenjtohet artificialisht dhe sot 60% e çmimit janë taksa.
Sipas deputetes, strumbullari i gjithë kësaj mbetet qeveria ndërkohë që koston shtesë të këtyre rritjeve e mban mbi supe qytetari.
Taksa e tepsisë dhe rilindjes sipas Jorida Tabakut, u merr shqiptarëve 10% të të ardhurave ditore për një litër naftë.
Statusi i plotë:
10% e të ardhruave ditore shkojnë për 1 litër naftë!
Nafta vazhdon të bjerë në tregjet ndërkombëtare duke shënjuar çmimin 50,42$/fuçi, që do të thotë përafërsisht 0.31 cent për një litër naftë. Gjasat janë që kjo rënie të vazhdojë ndërsa nafta do të shitet edhe më lirë apo së paku jo në çmimet e mbi 80$/fuçi në bursë. Por, shqiptarët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe ndër më të lartët në Europë.
Nëse 1 litër naftë në bursat e NYSE shitet me 0.31 cent ndërsa në Shqipëri një litër naftë shitet 182 lekë (1.66$). Kjo do të thotë që një familje me të ardhura mesatare prej 50 mijë lekësh në muaj i duhet të shpenzojë 10.8% të të ardhurave ditore për 1 litër naftë. Ndërkohë që vende me të ardhura shumë herë më të larta se Shqipëria i duhet të shpenzojë më pak se 4% të të ardhruave ditore.
Strumbullari i gjithë kësaj mbetet si përherë qeveria. Falë investimit të qeverisë dhe ministrit të financave dhe ekonomisë për rritjen e taksës së qarkullimit si dhe taksave dhe tarifave të tjera nafta po shtrenjtohet artificialisht dhe sot 60% e cmimit jane taksa. Ndërkohë që koston shtesë të këtyre rritjeve e mban mbi supe qytetari në të gjitha mënyrat e mundshme. Prandaj, në Shqipërinë e tepsisë sa herë që çmimet e naftës bien në bursë nuk reflektohen, pasi këtu taksa e tepsisë dhe rilindjes u merr shqiptarëve 10% të të ardhurave ditore për një litër naftë.
Në pesë vite Partia Demokratike ma bërë të paktën 8 amendamente për uljen e taksës së qarkullimit të gjitha të hedhura poshtë me forcën e kartonit. Sot kemi cmimin më të lartë të karburantit në rajon!
(F.GJ/FAXWEB.AL)