Enton Abilekaj, drejtori Ekzekutiv i Fax News, i ftuar në studion e lajmeve ka komentuar debatin e fundit lidhur me tarifën e vendosur për kalimin në Rrugën e Kombit.
Duke u ndalur tek kjo çështje, Abilekaj ka shpjeguar përplasjen Rama-Basha për taksën e qarkullimit dhe atë të regjistrimit.
“Tarifa e Rrugës së Kombit, barrë e domosdoshme. Taksa e qarkullimit ndër vite. Filloi në vitin 2006 kur PD erdhi në pushtet me pretendimin se nuk do paguhej nga qytetarët por nga ata që përdornin më shumë rrugët. Funksionoi në atë kohë, me ardhjen e qeverisë Rama në pushtet u rrit taksa e qarkullimit. Kemi të bëjmë me një taksë qarkullimi që i kalon shifrat normale, duke i kaluar 120 mln euro të ardhura për mirëmbajtjen e rrugëve. Këto para nuk i kemi parë në mirëmbajtjen e rrugëve. Kjo rrugë, duke u quajtur Rruga e Kombit, me një funksion strategjik kombëtar, mund të mos ishte taksuar. Berisha tha se miliona euro janë shtuar nga lidhja me Kosovën. “-tha Abilekaj.
I pyetur nga gazetarja Brikena Prifti, se a po krijon kjo taksë një “mur” ndarës Shqipëri-Kosovë, Abilekaj ka thënë se kjo aplikimi i kësaj tarife është një kosto shtesë si për biznesin kosovar dhe për familjarët.
“Biznesi që zgjidhte portin e Durrësit, do hezitojë ta bëjë këtë gjë, pasi do zgjedhë një port që ka një kosto më të ulët. Kjo taksë sjell një kosto të lartë për biznesin. Kosovarët, kanë zgjedhur të blejnë shtëpi buzë detit, ata vijnë gjatë stinës së verës çdo fundjavë. Për ata është një kosto e lartë për të ardhur çdo fundjavë. Gjithë kjo kosto, sjell një hendek me shqiptarët e Kosovës. Ata e zgjedhin bredgetin shqiptar nga ana kombëtare.”është shprehur gazetari.
Më tej, duke folur për protestën që do mbahet nesër në Rrugën e Kombit, Abilekaj ka thënë se pavarësisht efektit të protestës, kemi të bëjmë me një Kryeministër që nuk di taksat që kanë shqiptarët.
Abilekaj ka shpjeguar se nga debati me opozitën në Kuvend, Rama la të kuptohej se nuk e dinte që shqiptarët kanë akoma një taksë regjistrimi, një taksë që sipas tij nuk është diskutuar asnjëherë të hiqej.
“Kjo, protesta e nesërme urojmë të jetë efektive ditën e nesërme. Ramën, e dini ju fjalorin që përdori për shqiptarët. Rama tregoi dje se nuk e di fare sa taksa u vë shqiptarëve. Gjatë përgjigjes me Bashën, ai tha se nuk ka taksë regjistrimi, ndërkohë që gjithë shqiptarët e dinë që ka taksë regjistrimi. Nuk e di as ministri i Financave, megjithëse paguhen nga taksapaguesit. Këta nuk dinë çfarë taksash u kanë vënë shqiptarëve. Duke patur këtë padijeni, ata nuk e dinë çfarë kosto sjell kjo taksë. Kemi të bëjmë me një politikë të mbrapshtë, duan të marrin të ardhura direkte, për t’jua dhënë klientëve të tyre.”-ka theksuar ai.
I pyetur për pozicionin e LSI-së, Abilekaj ka thënë se kjo tarifë është vendosur në kohën e tyre, por ka shtuar se përgjegjësia duhet të jetë tek qeveria, pasi LSI tashmë është opozitë.
“Ministrat e LSI-së, ish-ministrat janë pro. Ata janë teknikë, për politikat e zhvillimit. Tani pretendojnë se nuk janë, por kjo tarifë është vendosur nga ata. Përjashtojmë LSI-në sepse LSI-ja është në opozitë.
Shqipëria me Kosovën kanë investime shumë të ulëta me njëra-tjetrën. Kjo rrugë duhet të shfrytëzohej për këtë gjë. Kujtojmë se në 2013, qeveria Rama u premtoi një port qeverisë së Kosovës. Kemi iniciativën e Ramës për mbledhje bilaterale me qeverinë e Kosovës. Nëse ju kujtohet, ministri Lekaj tha se ka tentuar të flasë me Gjiknurin por nuk ka mundur të flasë. Pra të gjitha këto pretendime, këto takime zyrtare, janë një flluskë, një propagandë pa vlerë. “ka thënë ai.
Ndër të tjera, Abilekaj ka thënë se qeveria e Prishtinës ka qenë më fleksibël në raportin me qeverinë Rama.
“Reagimet nga Prishtina kanë qenë me këmbë në tokë. Kanë kërkuar të negociohej, sepse dhe ata mund të vendosnin tarifë, por nuk e kanë menduar sepse kanë menduar që të mirat janë të përbashkëta.Ndërkohë që qeveria jonë të ishte konsultuar.”-ka shtuar Abilekaj.
Gazetari është ndalur tek kompania fituese e tenderit për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit dhe mënyrën sesi firma “Salillari” u përzgjodh.
Sipas tij, kjo kontratë klienteliste është dhënë nga Rama, marrë parasysh historikun e lidhjeve mes kompanisë dhe Ramës që kur ky i fundit ishte kryetar bashkie.
“Kompania koncesionare nuk i është ndarë Ramës që kur ka qenë kryetar bashkie. Firma “Salillari” ka fituar miliona euro tendera. Kjo firmë e fitoi tenderin jo kur u bë, por tek Prokurimet Publike që drejtohen nga Rama. Të 5-të anëtarët drejtohen nga Rama. I marrin vendimet direkt nga Rama. Vendimi që ta merrte firma shqiptare dhe jo turke u mor nga Rama. Kemi një Kryeministër që dëmton klimën tregtare dhe marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë për llogari të klientelizmit. Kontratë totalisht klienteliste dhe absurde.“ka thënë Abilekaj.
(F.G/Faxweb.al)