Ministrja e Turizmit dhe Kulturës, Mirela Kumbaro ia ka kaluar topin për parkun kombëtar Divjakë-Karavasta kolegut të saj socialist, ish-zv.kryeministrit të vendit, Erion Braçe.
Në fjalën e saj në Kuvend, në një interpelancë të kërkuar nga opozita në Kuvend, Kumbaro tha se vendosja e traut nuk ishte asgjë tjetër veçse zbatimi i një Vendimi Këshilli Ministrash të firmosur në vitin 2021.
“Vendosja e traut përcaktohet me VKM. Titullohet për përcaktimin e të ardhurave të tarifave që përcaktohet nga masat e kriteret e tyre, kjo është VKM-ja. Ju keni bërë dhe një kërkesë padi në gjykatë, sot gjykata ua ka rrëzuar kërkesë padinë. Kthehemi te VKM, kjo ka dalë në mbështetje të nenit 100 të kushtetutës. Thotë se menaxhimi financohet nga buxheti i shtetit, pika 2, mbrohet në përputhje me aktet e tjera ligjore. Në pikën 2 thuhet se të ardhurat janë nga tarifat që kryejnë për vizitë. Për ata që nuk e dinë se përse na duhen këto të ardhura, mendojnë se Divjaka mbahet me frymën e shenjtë. është kjo VKM që respektohet një më një, në të gjithë parqet,“-tha në fjalën e saj Mirela Kumbaro.
Më 26 janar të vitit 2021, Braçe firmosi vendimin që kaloi në Fletoren Zyrtare dhe u jepte të drejtë institucioneve që të vendosnin tra në zonat e mbrojtura. Në këtë vendim janë të caktuara edhe tarifat për vizitorët që fillojnë nga 50-150 lekë. Vendimi nuk flet posaçërisht për këtë zonë, por duke qenë se parku Divjakë-Karavasta është zonë e mbrojtur, Ministrisë së Turizmit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura u lind e drejta të ndjekin të njëjtën procedurë si në zonat e tjera.
Pjesë nga seanca:
Ministrja Mirela Kumbaro: Mirë pra, e mbarsët malin dhe prodhuat disa qindarka, 10, 20 e 15 se aq është tarifa, edhe për të ngrënë, u bëj ftesë sot për ta vizituar, gëzuar dhe ju pres kur ta hapim. Ua kam lënë këtu lekët e vogla.
Ilda Dhori: Kjo është e neveritshme, sesi një ministre tallet, lë lekët këtu.