Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të premten pezullimin e menjëhershëm të tarifës në importet nga Serbia dhe Bosnja si një masë e nevojshme për të rimëkëmbur procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë thuhet se veprimet që minojnë këto bisedime, pengesat nga anash dhe refuzimi për ta pezulluar këtë tarifë shkojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke tërhequr vërejtjen për pasoja të mundshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, në rast se ndërmerren veprime të ngjashme.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dobishmëri të ndërsjellë është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara, thuhet në komunikatë duke rikujtuar letrën që presidenti amerikan Donald Trump, i kishte dërguar në fund të vitit të kaluar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha në Prishtinë se për shkak të letrës së presidentit Trump Kosova ka hequr dorë nga masat e mëtejshme të parapara ndaj Serbisë.
“Nuk e kemi në plan mos ta respektojmë letrën e presidentit Trump, pra ne jemi ndalë në veprime që kanë qenë të planifikuara të pasojnë, në respekt pikërisht të aleatit tonë, Amerikës, e letrës së presidentit Trump, t’i japim një mundësi procesit. Ne e shohim që Serbia nuk është ndalur, ajo po e rritë agresivitetin e vet dhe duhet ta vlerësojmë një herë se si të veprohet më tutje”, tha kryeminstri Haradinaj./VOA