Nga Klodian Tomorri
Tatimi mbi fitimin duhet ulur minimalisht në 10% për t’u bërë konkurrues me vendet e tjera të rajonit. Nga ana tjetër ajo shkallarja e tmerrshme e taksës progresive, që ngjan si maja e Sagarmathës, duhet sheshuar. Një shkallare që kërcen nga 0 në 13 përqind, e më pas në 23 përqind nuk mund të sjellë asgjë të mirë.
Efekti në të ardhurat nuk është i paabsorbueshëm dhe pjesërisht mund të kompesohet duke taksuar me taksa speciale koncesionet dhe kompanitë që gëzojnë licensa ekskluzive nga shteti.
Pretendimi se taksat nuk e dëmtojnë rritjen ekonomike është njësoj si ajo gënjeshtra që pijanecët i thonë vetes; alkooli nuk të bën dëm.
Taksat e dëmtojnë rritjen ekonomike dhe shumë madje.
E dëmtuan në vitin 2014 kur Parlamenti miratoi rritjen e parë në masën 200 milionë dollarëve, e dëmtuan edhe më shumë në vitin 2015 kur u ndërmorr raundi i dytë i korrektimit me një tjetër rritje taksash po 200 milionë dollarë.
Shqipëria është vendi më i varfër në Ballkan, përveç Bosnjës. Rrjedhimisht, që të arrijë standardin e mirëqenies së vendeve të tjera, është e detyruar të prodhojë rritje më të madhe ekonomike se ta. Por nuk mund ta bëjë këtë nëse do të mbajë taksat më të larta në rajon.
Shqipëria nuk konkurron as me Gjermaninë dhe as Suedinë. Ne konkurrojmë me ekonomitë e ngjashme që kemi përreth dhe në të gjitha rastet ambienti i tyre fiskal është shumë më nxitës nga yni.
Ndëshkimi i punës, por edhe suksesit sipërmarrës nuk bën asgjë tjetër veçse frenon shfrytëzimin e plotë të resurseve ekonomike. Ndaj, ulja e taksave duhet të jetë prioriteti i çdo politike ekonomike.