Jo katër vite, por 100 ditë kohë kërkoi Sali Berisha për të zbatuar programin e Partisë Demokratike për Shqipërinë madhështore.
Nga takimi elektoral në Burrel, lideri opozitar pohoi se nëse në 11 maj marrin besimin e shqiptarëve, do t’i duhen vetëm 100 ditë për rritur pensionet, pagat dhe për të ulur taksat.
“Unë kërkoj nga çdo shqiptar vetëm 100 ditë për të transformuar Shqipërinë. 100 ditë në një mision, në të cilin të gjithë shqiptarët do bashkojnë zemrat e tyre për të ndihmuar në radhë të para ata 760 mijë burra dhe gra të thinjur që trajtohen në mënyrën më të padenjë me një pension qesharak. Për të vendosur minimumin jetik 200 euro”.
Sipas lideri demokrat, Rama mandatin e katër nuk e kërkon për të futur Shqipërinë në BE, por për të shpëtuar nga krimet që ka kryer në 12 vite qeverisje.
“Po unë jam këtu, unë jam Sali Berisha. Dhe unë u jap fjalën ju, u jap fjalën matjanëve dhe shqiptarëve se ai kurrë nuk do shpëtojë. Ai do përgjigjet një më një për atë që u ka bërë Matit dhe Shqipërisë. Ai e bëri provën, tani është radha ime. Tani do e shohë ai!”, tha Berisha.
Pas takimit përmbyllës në Burrel, lideri i opozitës u ndal edhe në Bulqizë ku zhvilloi një takim me minatorët. Me kapelën e minatorit mbi krye, Berisha u premtoi se do miratojë statusin e tyre brenda 3 muajve të parë të qeverisjes.
“Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit. Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja! Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri”, shtoi Berisha.
Lideri opozitar shtoi se ndaj punonjësve të minierave shteti ka shumë borxhe, të cilat premton t’i shlyej nëse do të marrë pushtetin pas 11 majit.