Tashmë nuk do të ketë më komisione që do t’i njohin shoferët e makinave që gjobiten nga Policia Rrugore, me masën e gjobës dhe periudhën e pezullimit të patentës.
Sipas Report Tv, Fatmir Xhafa ka konfirmuar faktin se Ministria e Brendshme është duke hartuar propozime në Kodin Rrugor për sa i përket vendosjes së gjobave.
Sipas të njëjtave burime propozimet e reja kërkojnë të shmangin procedurat burokratike në komisione për shoferët.
Tashmë do të jenë policët rrugorë që do të vendosin për masën e gjobës. Në momentin që një polic rrugor do konstatojë për shembull, shkeljen e Kodit Rrugor për semafor të kuq, atëherë shoferët nuk do kalojnë në komision, por do të jetë oficeri i policisë që do vendosë masën e gjobës, që është minimum 20 mijë lekë të reja, por edhe kohën e pezullimit të patentës. Më pas shoferët nuk do të shkojnë më nëpër komisione, por mund të ankohen në Gjykatën Administrative. Sot policët e Rrugores nuk kanë të drejtë të vendosin gjoba më shumë se 5 mijë lekë të reja, ndërkohë që pezullimi i patentës iu është hequr si e drejtë atyre dhe përcaktohet nga komisionet.
Përveç heqjes së komisioneve për t’iu ardhur në ndihmë shoferëve, Ministria e Brendshme ka parashikuar që brenda vitit të ardhshëm të vendosen Radarë në të gjitha rrugët ku ndodhin më shumë aksidente. Sipas Ministrit të Brendshëm kjo do të bëhet duke blerë pajisje shtesë për Policinë Rrugore. Ndërkohë është drejt përfundimit edhe procesi i gjobës elektronike. Kjo do të thotë se polici rrugor nuk do të presë më gjoba në letër, por do ta vendosë atë në një sisitem online, ndërkohë që shoferit do t’i printohet një letër elektronike për gjobën.
Të gjitha ndryshimet sipas Ministrisë së Brendshme pritet të konkretizohen në fillim të vitit të ardhshëm, por pika më e rëndësishmë që ka të bëjë me heqjen e komisioneve të Policisë Rrugore, do të kalojë nga Parlamenti, pasi duhet të miratohet nga ligjëvënësit. Deri në ndryshimet e Kodit Rrugor, shoferët do të vijojnë të shkojnë në Komisione për t’u njohur me masën e gjobës dhe kohën e pezullimit të patentës.
(F.M/Faxweb)