Besnik Hasi e ka fituar betejën e tij të parë dhe më të madhe: Olimpiakosi është në grupet e Champions League. 30 milionë euro arkëtime për kualifikimin, objektiv që nuk u arrit vjet. Presidenti Marinaqis u kritikua ashpër kur zgjodhi Hasin: një shqiptar te Olimpiakosi, CV jo fort e pasur, Legia e largoi që në vjeshtë vjet, këto ishin kritikat kryesore të tifozëve apo gazetarëve anti-Hasi.
Pas fitores së djeshme në Rijeka presidenti Marinaqis shpërtheu: “Po tani, ç’do të thoni? Tani ose po fshiheni, ose po ndryshoni nickname-et dhe llogaritë, për të lavdëruar Hasin!”. Shkruan “Sport Ekspres”
Marinaqis nxorri mësimet e duhura nga viti i shkuar, zgjodhi Besnik Hasin për trajner, nuk dëgjoi askënd, i dha besim atij, i dha mundësinë të merrte lojtarët që dëshironte dhe ia kompletoi skuadrën në kohën e duhur për të arritur qëllimin kryesor të sezonit. Puna e Hasit sot është vlerësuar gjerësisht në mediat helene, që kanë ngritur në qiell trajnerin shqiptar për shumë arsye, duke nisur nga kualifikimi e deri te rindërtimi i skuadrës, nga ringjallja e gjermanit Marko Marin e deri te ndryshimi i roleve në fushë për disa lojtarë.
E ardhmja nuk parashikohet, por Hasi e ka nisur shkëlqyeshëm dhe u ka mbyllur gojën gjith skeptikëve.
(B.H/Shuplaka)