Nga Agron Gjekmarkaj
Krateri i batakçillëkut që na rrethon zjeu më shumë se kurrë gjatë javës që kaloi. Temperatura e llavës që u derdh në media nuk skuqi e as nuk zverdhi kërrkënd. Hatullat e shtetit dhe të politikës kërcitën si bidona të vjetër teneqeje të torolakun nëpër monopat nga një shqelm mushku idhnak. Dritëro Agolli uli siparin e jetës dhe u largua i qetë drejt së përtejmes, duke na lënë si trashëgimi disa poezi të një bukurie të përbotshme. I kjoftë e lehtë lëndina. Çeta e vogël e burrave që u ka peshë fjalë në këtë vend u bë edhe më e vogël.
Donald Lu dhe Adriatik Llalla u kthyen në zyrat e tyre pas akuzash të ndërsjellta të rënda gazep. Prokurori i Përgjithshëm ishte në të drejtën e tij të reagonte pas sulmit nga ana e Ambasadorit. Por ai e tejkaloi atë dhe u vu në pozitë të ligsht kur nuk u mjaftua me letrën, e cila kishte edhe një aberracion politik me termin “sorosian” dhe u paraqit në një rrëfim të gjatë e disi monoton në emisionin “Opinion”. Një trajtim inatçor të bisedës më shumë sesa logjik bëri ai.
Njëri, sipas logjikës tradicionale, do të duhej të shkonte në shtëpi dhe t’i gëzohej qetisë së konakut, kërcitjeve të prushit në vatër larg rrëmujës e rrëmetit, ashtu siç i ndodhi Manjanit pas zallamahisë me Kryeministrin, ku petkat e pegëra të qeverisë u nderën në televizion. Pas kësaj, Kryetari i Parlamentit, i cili s’ka bërë gjumë të paqtë gjatë këtyre ditëve, citoi dy vargje nga shkrimtari i ndjerë Agolli: “Në vendin tim, në vendin tënd një kokë e çmendur të gjithë i çmend”! Duket sikur i qan hallin vetes që po e “çmend” koka “e çmendur” e Rilindjes.
Të shohim gjithë sy e veshë si do të vazhdojë përballja e pazakontë. “Se i vogli shtrin viganin”, këndonte Noli i ngeshëm pas revolucionit, megjithëse profecitë politike nuk i dilnin asnjë për be. Një gjë është e sigurt, qytetarët e duan Reformën në Drejtësi dhe në ndërgjegjen e tyre mendimi se asnjë e keqe kurrë nuk u vjen nga Amerika mbretëron sovran. Shqiptarët e qytetit dhe të fshatit, të malit dhe të fushës aspak nuk duan një reformë, si instrument jakobin larjeje hesapesh politike, në duart darë, të Kryeministrit. Ata ëndërrojnë një mekanizëm të pavarur nga ekzekutivi. Ndërprerja apo sabotimi i saj na fton të notojmë në ujërat e qelbura të moçalit të deritanishëm. Sipas hamendësimeve, pandehmave dhe psherëtimave, të cilat janë aktiviteti ynë më i madh, thuhet se Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ndëshkoi me heqje vize një shumicë prokurorësh dhe gjyqtarësh që Rama nuk i ka nën kontroll.
Po ashtu një këqyrje e shpejtë e listave të atyre që po aplikojnë për institucionet e reja na njofton se kemi të bëjmë me njerëz që gravojnë rreth kampit të majtë në vendin tonë. Paradoksale është sesi një aplikues, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, i emëruar nga Edi Rama, e prezanton veten si përfaqësues të shoqërisë civile. Kjo është satira që pafytyrësia bën me ne çdo ditë. Gjithësa nuk është një kontribut i vyer për Reformën në Drejtësi, përkundrazi tentativë për ta modifikuar në embrion. Kështu, atë të miratuarën natën e 21 Korrikut e rrezikon antireforma kryesisht produkt i luftës politike brenda maxhorancës.
Në këtë batare lajmesh e ngjarjesh një tjetër deklaratë do të duhej t’i kushtohej më tepër vëmendje për së paku dy arsye. Donald Lu, i cili për disa kohë u shfaq si arbitër mes qeverisë dhe opozitës, duke mbështetur fort procesin e dekriminalizimit, u shndërrua gjatë muajve të “reformës në drejtësi” në aleat të qeverisë, duke purgezuar pa etikë diplomatike liderin e Opozitës dhe ofruar qerasje të mëdha imazhi për shefin e qeverisë. Ishte tjetër kohë me të tjera pritshmëri në Tiranë dhe Uashington. Kujtim i së shkuarës.
Me pohimin e tij të fundit se zgjedhjet e shpallura për datën 18 qershor janë në rrezik për t’u vjedhur, Lu përsëri ka marrë kursin e kthimit në arbitër mbase falë hyrjes së administratës Trump në Shtëpinë e Bardhë. Përvijohet si themelore dhe tepër shqetësuese ajo çka tha. Zgjedhjet në Shqipëri janë në rrezik. Ato do të vidhen nga politika e lidhur me krimin. Nuk besohet të ketë shumë dilema për të kuptuar se kujt i adresohet ky shfrim akuze!!
Edhe fëmijët, të cilët sapo kanë filluar të konsolidojnë shqisën e kuriozitetit, e dinë që ajo thënie nuk i adresohet opozitës, sepse ky formacion nuk ka asnjë mundësi për ta bërë këtë. Përkundrazi Ambasadori Lu i bashkohet pas një periudhe të gjatë hezitimi, shqetësimit kryesor të saj (opozitës), që është manipulimi i zgjedhjeve nga bashkëpunimi i shtetit me krimin dhe drogën që ka mbuluar e bleruar anembanë territorin.
Nuk kemi asnjë fije dyshimi për cilësinë e informacionit që zotëron diplomati më i rëndësishëm në këtë vend. Burimet e tij janë të pashtershme dhe serioze. Këtë frikë të madhe e paralajmëruan me potere edhe dy ministra të qeverisë Rama, Manjani e Koka, dhe për këtë “koka” e Manjanit u “pre”, ndërsa ajo e Lefterit u fal me ferman të posaçëm.
Lulzim Basha po bën aq sa mundet për të sensibilizuar shoqërinë, trupin diplomatik në vend dhe institucionet ndërkombëtare. Atij vazhdon t’i bëhet një pyetje në rastin më të mirë e gabuar në sallonet e analizës dhe në tubimet lokale. Një pyetje që çuditërisht i përsëritet edhe brenda partisë së tij jo pa karshillëk! Një pyetje kjo që prezanton një larje duarsh nga përgjegjësia kolektive dhe individuale, duke e spostuar atë mbi një njeri të vetëm, konkretisht mbi Kryetarin e PD-së. E shqiptojnë me zë të qëruar taze, pa dridhje qerpiku! Një pyetje kjo të cilën asnjë gazetar apo qytetar nuk do t’ia bënte kryetarit të opozitës në çdo vend tjetër europian. Si do t’i ruash ti votat që të mos i grabisë qeveria? Sepse ajo është një përgjegjësi e përbashkët e qytetarëve, institucioneve dhe e sistemit politik që thirret demokraci. Ndërsa këtu ia faturojnë një personi të vetëm, sepse kështu është më e lehte sesa të marrësh pjesën tënde të angazhimit, përballjes ose të fajit.
Kështu, gjithsecili në pozicionin ku gjindet, konfirmon dramën e përgjithshme. Pranohet me lehtësi tronditëse se “e dimë që votat do të vidhen”. Në mënyrë amorale marrim edhe distancën, duke nënkuptuar “bëj ç’ke për të bërë se ne nuk të ndihmojmë dot”. Ndonëse te zgjedhjet e lira e të ndershme ose te mungesa e tyre fillon çdo e mirë dhe e keqe. Aleanca për lirinë e votës sot mund të bëhet veç me Liderin e Opozitës. Ai duhet ta zhvillojë njëherë e përgjithmonë dhe për të gjithë betejën e madhe për zgjedhje të lira e të ndershme. Historia jonë e trishtë po ia jep këtë mundësi, e cila mund të jetë edhe fati i tij shenjues. Pa u mbyllur ky kapitull turpi, çdo përpjekje tjetër është vrimë në ujë. Basha duhet të vendosë para provës së madhe partinë e tij, klasën politike, kundërshtarët, shoqërinë, si dhe partnerët ndërkombëtarë nëse janë të gatshëm t’i japin zgjidhje përfundimtare problemit të votës dhe procesit rreth saj.
Zgjedhjet e Edi Ramës, ato lokale të vitit 2015, u karakterizuan nga frika dhe presioni, i hapur fakt ky që u shkruajt në raportin e OSBE/ODIHR. Sot, Qeveria shqiptare ua ka dorëzuar territorin kultivuesve të drogës dhe është e pamundur që ajo ta marrë nën kontroll këtë territor gjatë zgjedhjeve. Rezultatet mund të vendosen nga këta kultivues në favor të mbrojtësve të tyre. Arrestimet dhe përgjimet e disa shefave të policisë janë dëshmi se ky organ është marrë me qira nga krimi. Zgjedhjet nuk janë të rrezikuara vetëm hipotetikisht. Pas Opozitës, gjysmës së Qeverisë (ministrat e LSI), tanimë e pohoi edhe Donald Lu. Kush tjetër duhet ta thotë këtë? Mos duhet të hapet qielli dhe të flasë Zoti?
Lulzim Basha do të bënte më të madhin shërbim publik nëse vendos kusht të panegociueshëm për pjesëmarrjen në zgjedhje krijimin e një qeverie tranzitore, krahas reformës zgjedhore, monitorimit të rreptë ndërkombëtar dhe sistemit elektronik të numërimit. Një qeveri kësodore do duhej të kishte pak objektiva, por konkrete, dekriminalizimin, luftën ndaj karteleve të drogës, duke përfshirë edhe ushtrinë e mbi të gjitha garantimin e procesit zgjedhor, duke krijuar klimë sigurie për qytetarët. Edi Rama po të ndihej i sigurt, do duhej ta pranonte i pashqetësuar, por hesapi e bën ngurrues, nuk i del paçka se moralisht qeveria i ka rënë. Pastaj le të fitojë ai që duan shqiptarët, pasi të kenë votuar në paqe me mendjen dhe shpirtin e tyre. Edi Rama përtej asaj që transmeton aparati i propagandës, e ka të pamundur të hyjë në zgjedhje pa opozitën. I mungon “trimëria” e çartur për të bërë një marri të tillë me pasoja katastrofike. Aso zgjedhjesh bënte veç Enver Hoxha.
Basha mund ta bëjë këtë betejë edhe “i vetëm”. Ai ka pas opozitën dhe popullin e saj, gjysmën e elektoratit. Nëse tregon vendosmëri edhe pjesa tjetër e shoqërisë, do ta ndjekë. Koalicioni për zgjidhje të lira e të ndershme është më i madh nga ç’mund të imagjinohet, duke i tejkaluar sinoret ideologjikë. Kjo është një liri që e kanë fituar të gjithë bashkë. Nuk mund ta humbasin për të favorizuar një palë apo një person, sepse kështu do ta humbasin përsëri të gjithë bashkë dhe një Zot e di kur do ta rifitojnë prapë.