Drejtuesi i lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka folur për tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit dhe për dëbimin e 6 shtetasve turq, të akuzuar si të lidhur me rrjetin e “Fetullah Gylen”.
Sipas Kurtit, situata është menaxhuar keq nga ana e institucioneve kosovare. “Arrestim tinëz” e ka quajtur Kurti, dëbimin e tyre.
“Është evidente që institucionet e Kosovës e kanë trajtuar dhe menaxhuar shumë gabim dhe me shkelje situatën dhe nuk ka pasur transparencë. Duket qartazi që arrestimi dhe dëbimi kanë qenë tinëz kjo i bën dëm demokracisë”,-ka thënë Kurti për gazetarët.
Lidhur me debatin për tarifën e vendosur në Rrugën e Kombit, Kurti ka thënë se zgjidhja në këtë situatë është që tarifa për mirëmbajtjen të mbahej nga shteti.
Kurti ka përmendur dhe rëndësinë strategjike dhe kombëtare të kësaj rruge.
“Sot nuk kam paguar lekë për rrugën. Qytetarët e Kosovës janë të varfër, të vetmin det kanë bregdetin e Shqipërisë.
Çmimi është shumë i lartë. Më mirë do ishte të mbahej nga shteti. Duhet të ketë ndjeshmëri për qytetarët shqiptarë. Nuk na duhej një situatë e tillë me Shqipërinë”,-është shprehur Kurti.
(F.G/Faxweb.al)