Kanadaja po përgatitet për një luftë tregtare kundër Shteteve të Bashkuara, me një plan trefazor tarifash dhe kufizimesh tregtare nëse presidenca e Donald Trump vendos një taksë prej 25 për qind për të gjitha produktet kanadeze të importuara në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë negociatat janë duke u zhvilluar Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, ishte dje dhe pardje në Uashington për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të Partisë Republikane përfshirë senatorët Lindsey Graham, Jim Risch dhe John Thune. Hakmarrja kanadeze do të kishte të bënte kryesisht me mallrat e konsumit me vlerë 25.6 miliardë dollarë. Lista e mallrave është shumë e detajuar dhe përfshin dhjetëra mallra të konsumit nga kategori të ndryshme, si ushqime dhe pije, si dhe lloje të tjera të produkteve të përditshme duke përfshirë enëlarëse dhe artikuj prej porcelani vaska dhe tualete.
Kryeministri Justin Trudeau dhe kryeministrat e provincave të Kanadasë u takuan në Otava të mërkurën për të hartuar një strategji për të përballuar proteksionizmin amerikan.
Ato ranë dakord për një deklaratë ku thuhej se ata do të bashkëpunojnë për një gamë të plotë masash për të siguruar një përgjigje të fortë ndaj tarifave të mundshme të SHBA-së. Por kryeministrja e Albertës Danielle Smith, nuk pranoi duke thënë se nuk mund të pajtohej me dy ide që janë propozuar vendosjen e taksave të eksportit mbi energjinë ose reduktimin e këtyre eksporteve.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, i cili drejton provincën që është qendra e industrisë së makinave në Kanada theksoi se liderët politikë të vendit duhet të qëndrojnë të bashkuar përballë kërcënimeve në rritje të Trump-it. Javën e kaluar, presidenti i zgjedhur sugjeroi përdorimin e “forcës ekonomike” për ta kthyer përfundimisht Kanadanë në një shtet të SHBA-së.
“Kur Donald Trump na sulmon, ai nuk do të thotë, ‘Epo, le të mos shqetësohemi për Ontarion, ata janë njerëz të mirë, ose Albertën.’ Ai po vjen me tërë forcën kundër kanadezëve si tërësi,” Duhet të jemi të bashkuar “, theksoi Ford.
Kanadaja eksporton lëndë të para jetike në SHBA dhe si masë ekstreme mund të frenojë eksportin e lëndëve të para me vlerë qindra miliarda dollarë, duke përfshirë naftën dhe gazin potasin, uraniumin dhe mineralet kritike. Kanadaja eksporton 80 për qind të naftës dhe 60 për qind të gazit të saj natyror në Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se gjysma e naftës së importuar në SHBA vjen nga fqinji i saj në veri.