Është kundërshtuar përsëri nga grupi organizator i protestës në Kukës skema e tarifimit të kalimit në Rrugën e Kombit prezantuar nga qeveria shqiptare.
Sipas tyre kjo skemë vjen si rezultat i gjykimit të njëanshëm pa diskutime paraprake me grupet e interest dhe pa konsideruar mendimet dhe propozimet e tyre.
Ata shprehen se kjo skemë nuk e konsideron taksën si të padrejtë, por thjesht kamuflon mënyrën e pagesës.
Grupi organizator ka theksuar se protesta do të jetë e vetmja alternativë nëse qeveria nuk merr ne konsideratë kërkesat këshilltarëve të tre bashkive dhe te komisionit të protestës.
“Komisioni i qendron kerkeses fillestare per taksen zero, ne rast te mos marrjes ne konsiderate te peticionit te keshilltareve te tre bashkive dhe kerkesave te komisionit te protestes do protestojme si e vetmja alternative”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ministri Gjiknuri ka pasur dje një takim me përfaqësues nga Qarku i Kukësit ku prezantoi paketën e negociuar me kompaninë koncesionare për skemën lehtësuese tarifore të kalimit në aksin Milot-Morinë për banorët e Qarkut të Kukësit, mjetet e transportit publik dhe përdoruesit e shpeshtë.
Mësohet se tarifa do të jetë lehtësuese për banorët e zonës, ndërsa puna ka nisur me urgjencë për rivendosjen e traut.
‘’Nga 17 Shtatori të fillojë të aplikohet tarifa. Këto favore për biznesin janë njësoj edhe për Kosovën. Pra, nuk kemi ndjekur parim diskriminues”, nënvizoi ministri Gjiknuri
PAKETA LEHTESUESE PARASHIKON:
Tarifimi i automjeteve të banorëve të Qarkut të Kukësit
Tarifë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës;
Tarifa e reduktuar do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për tu përdorur brenda peridhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime;
Përdoruesit e Qarkut Kukës do të parablejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar;
Kjo skemë tarifore do të aplikohet për klasën e automjeteve A dhe B për përdorim vetjak, të regjistruara në Qarkun Kukës;
Për automjetet e cilësuara më lart, të regjistruara në Qarkun e Kukësit, do të marrin falas pajisjen elektronike Telepass dhe përmes saj do bëjnë rimbushjen e vlerës së kalimeve mujore sipas nevojës;
Tarifimi i autobusëve të linjës
Janë identifikuar 11 Linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit;
Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale;
Këto mjete do të kenë tarifë Kalimi prej 100 lekë me T.V.SH për 1 kalim;
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova):
Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;
Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;