Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është i mendimit se duhet ndryshuar sistemi i prokurimeve publike në Shqipëri.
Ndërsa po inspektonte punimet për ndërtimin e urës mbi lumin Shkumbin, Balla është shprehur se Bashkia e Elbsanit ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ndaj kompanisë që është marrë me ndërtimin e urës.
“Duhet ndryshuar tërësisht sistemi i prokurimeve publike në Shqipëri. Kompanitë private të kontraktuara nga entet publike duhet të garantojnë më shumë cilësi të punimeve dhe më shumë korrektesë në respektimin e afateve të kontratave.
Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit ju bashkova sot shqetësimit mjaft të drejtë të banorëve të Broshkës për ecurinë e ngadaltë të punimeve për ndërtimin e urës mbi lumin Shkumbin.
Ndërtimi i kësaj ure bën të mundur lidhjen e këtij fshati me pjesën tjetër të Njësisë Administrative dhe me aksin nacional Elbasan-Peqin.
Ndaj kompanisë në fjalë, Bashkia e Elbsanit ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ndërkohë gjej mundësinë të theksoj se nga qeveria jonë këto raste do të adresohen për të ndryshuar tërësisht mënyrën e lidhjes së kontratave dhe për mënyrën e tenderimit.
Ura ekzistuese në fshatin Broshkë u shemb në Janar të vitit 2016 nga prurjet e shumta të lumit Shkumbin. Kjo nuk ishte e vetmja emergjencë me të cilën u përball Bashkia e Elbasanit në atë periudhë.”, tha Balla. (D.D/Shuplaka)