Taulant Muka i cili dha dorèheqjen si zv/ministër i Arsimit i ftuar në studion e “Ora News” ka zbuluar arsyet që e detyruan të marrë një vendim të tillë. Muka tha se zyra e tij në Ministrinë e Arsimit ishte bosh madje edhe kafet dhe ujin për personat që i vinin në zyrë duhet t’i blinte me rrogën e tij.
“Taulanti kur ka vajtur në punë ka gjetur një zyrë bosh në aspektin e dokumentave. Unë mbaj mend kryeministrin e vendit dhe zotin Braçe që thoshte që zyrat ishin bastisur. Unë kisha karrigen dhe tavolinat, por nuk kisha përmbajtjen brenda. Ka qenë një zyrë bosh dhe pulti i televizorit ishte marrë dhe letra higjenike ishte marrë.
Aty kuptova që unë nuk po ndihesha në shtëpinë time dhe pse aty informacioni nuk ishte, sepse pavarësisht kush vjen zv/ministër dokumenacioni duhet të qëndrojë. Nuk ka një protokoll, zv/ministri nuk është një person kushdo. Ai ka një detyrë të rëndësishme. Unë nuk jam mësuar me këtë model dhe vij nga një kulturë tjetër. Ka një mungesë menaxheriale. Në ministrinë e Arsimit nuk ka ujë të pish dhe kafet kushdo që do më vinte në zyrë do ti blija unë me rrogën time”, u shpreh ai.
Taulant Muka, studenti i ekselencës që pranoi postin e zv/ministrit të Arsimit u shndërrua në një personazh mjaft i komentuar në rrjetet sociale për faktin që zëvendësoi Ervin Demon, paraardhësin e tij të cilin e akuzoi për plagjiaturë. Por aventura e tij brenda institucionit të Ministrisë së Arsimit si reformator nuk zgjati më shumë se dy javë dhe shumë shpejt në media, u përhap lajmi i dorëzimit të dorëheqjes te kryeministri, Edi Rama.
“Per arsye etike, morale dhe profesionale, dhe te papajtueshmerise qe une kam me modelin e punes te aplikuar me Ministrine e Arsimit, ju paraqes dorheqjen time te parevokueshme nga posti i zv.ministrit”, thuhet në letrën e dorëheqjes, drejtuar Ramës.
(J.D/Faxweb.al)