Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) ka lënë në fuqi masat e sigurisë për zyrtarët e Hipotekës të vënë në hetim për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm të funksionarëve në kuadër të operacionit, “Ndërmjetësi”.
Në masën e sigurisë “arrest në burg” do të qëndrojnë Gazmend Canaj, Admir Burri dhe Neritan Bablusha. Ndërkohë në fuqi është lënë edhe pezullimi për drejtorin e Drejtorisë Vendore të ASHK, Panol At Nikolla.
Operacioni i SPAK, emrat e zyrtarëve të arrestuar te Hipoteka e Tiranës
Në operacionin disa-mujor të koduar “Ndërmjetësi” që është zhvilluar tre ditë më parë, janë vënë në pranga 3 persona deri më tani.
Konkretisht ata janë Gazmend Canaj, 49 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
Admir Burri., 44 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
Neritan Bablusha,52 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
Po ashtu, në kuadër të operacionit u bë ekzekutimi i masës se sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personave nën hetim:
B.H, 59 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
G.B, 58 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, u bë ekzekutimi i masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik” ndaj personit nën hetim:
Panol At-Nikolla, 39 vjeç, banues në Tiranë, me detyre punonjës i Drejtorisë Vendore të ASHK Tirane Rurale 2, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Si dhe u bë shpallja në kërkim policor i shtetasit me iniciale “I.A”, për të cilin Gjykata ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” .
Materialet procedurale i‘u kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të shtetaseve të sipërcituar, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.