Të bukura dhe sensuale, duket se koha për to ka qëndruar në vend. Kanë ndryshuar shumë pak prej periudhës kur nisën të bëhen të njohura për publikun dhe ndoshta është pikërisht ky një prej sekreteve të mëdha.
Ato janë gra në karrierë, të suksesshme dhe natyrisht që kanë edhe një jetë të tyren personale.
I kanë kaluar të 40-tat, kanë krijuar familjet e tyre dhe koha ka vazhduar rrjedhën e saj, por bukuria e tyre duket se për një arsye apo tjetrën ka qëndruar e pacenuar.
10 figura publike, gra të mrekullueshme që ende sot përpos profesionit kanë ditur të ruajnë më së miri stilin, elegancën dhe freskinë e bukurisë së tyre. Pamja e tyre na bën të iluzionohemi e të mendojmë se bukuria ndoshta mund të mos plaket…
Rudina Magjistari
Bionde, e gjatë me një portret që rrezaton ëmbëlsi dhe që duket se ka mbetur i pandryshuar ndër vite. Është padyshim një nga moderatoret më të dashura për publikun shqiptar, Rudina Magjistari, buzëqeshja e së cilës ngroh pasditet e tyre, duke i shoqëruar me tema të larmishme e duke konsumuar biseda me personazhe të famshëm dhe jo vetëm. Pothuajse prej një viti e gjysmë ajo është bërë edhe mama, quhet Mia, “princesha” e saj e vogël, e cila ka shtuar dozat e lumturisë në familjen e prezantueses.
Rudina përpiqet të tregohet sa më e rezervuar kur bëhet fjalë për familjen e saj, jetën me kampionin e kit box-it Xhavitin dhe me vogëlushen e tyre. Mëmësia duket se i ka dhënë asaj edhe më shumë hijeshi. Për mediet ka rrëfyer se për të pasur një fizik në formë ajo kujdeset shumë për dietën e saj të përhershme, duke mos abuzuar me ushqimet apo pijet alkoolike, si dhe përpiqet të eci apo të kryejë aktivitet fizik si palestra. Siç është shprehur moderatorja nuk i trembet aspak kohës, pasi mosha kalendarike, sipas saj, nuk do të ndikojë as në shpirt e as në mënyrën e saj të jetesës…, e me sa duket deri më tani as në pamjen e saj fizike!
Manjola Nallbani
“Si të të quaj, o bukuri e gruas ti?”, është një varg i mrekullueshëm i Zhuliana Jorganxhit, me të cilin nis edhe një nga këngët hit të kënduara nga Manjola Nallbani. Poetja me fjalën, e Manjolës dhe me zërin e pamjen e saj , e veshur në të bardhë i bëjnë një thirrje të fortë “bukurisë që ta pushtojë botën”. Ishte viti 1999, në Festivalin e RTSH, një performancë e mrekullueshme që Nallbani edhe sot mund ta përsërisë pa frikë duke na bërë për një çast të mendojmë se koha ka ndalur në vend. Të paktën për të duket se ka ndodhur kështu! Për t’u admiruar te Manjola është me siguri edhe karakteri i saj, çka e ka bërë edhe më të dashur për publikun. Një këngëtare pa kompromise, që preferon të bëjë punë cilësore pavarësisht rrezikut se nuk do të thithet nga një masë e gjerë. Nallbani përpos të tjerave në mars të këtij viti u dekorua edhe me çmimin e merituar, “Mjeshtër i madh”, për kontributin e saj të vyer në muzikën e lehtë dhe popullore shqiptare.
Valbona Selimllari
Kanë kaluar 24 vjet prej kohës kur u kurorëzua, si “Miss Albania”, dhe tek e shikon duket sikur po përjeton një dezhavu. E njëjta bukuri, ndoshta edhe më e rafinuar, është Valbona Selimllari “miss-i i përjetshëm shqiptar”, që duket se ka sfiduar famën e gjithë kolegeve të saj. Elegante, me një buzëqeshje që shndrin Valbona, mund të konkurronte sot shumë mirë me miss-et e reja. Selimllari është treguar shumë e rezervuar përsa i përket jetës së saj private, janë të paktë ata që e dinë se ajo është nëna e tre fëmijëve të mrekullueshëm ndaj të cilëve ajo është shprehur se është tepër protektive. Vitet e fundit Valbona ka qenë prezent në ekran, por edhe gjatë mungesave të saj, ajo ka vazhduar të ushqejë dashurinë për artin në forma të ndryshme, duke mbetur gjithsesi një nga personazhet më të dashur e popullorë pas viteve ’90.
Elvira Diamanti
Asgjë më pak se diamanti nuk ka bukuria e saj, e po kështu edhe talenti. Shumica e identifikojnë si Marigoja te “Përrallë e kaluara”, edhe pse rolet e Elvira Diamantit në kinematografinë shqiptare janë të shumtë. Tipare të theksuara, shtat të lartë dhe një qëndrim për t’u admiruar, është ajo aktorja që ka luajtur rolin e disa prej personazheve më pikant të romaneve të Kadaresë, si “Kush e solli Doruntinën”, “Natë me hënë” etj. Edhe pse Diamanti është tërhequr shpejt nga skena, dhe daljet e saj televizive janë të rralla, ajo aktualisht punon, si drejtoresha e Arkivit Qendror të Filmit Shqiptar.
Eli Fara
Këngëtaren e muzikës popullore, e kujtojmë përherë kështu, me flokët e gjata e të derdhura mbi supe, me tipare të errëta dhe me linja për t’u admiruar. Me siguri që regjisorët do ta kishin përzgjedhur si figurë qendrore në telenovela, hiret dhe pamja e fytyrës së saj gati engjëllore dhe e paprekur nga vitet nuk mund të mos tërheqin vëmendjen. Eli është shprehur se për të mbajtur trupin në formë ajo mundohet të jetë shumicën e kohës në lëvizje. Si çdo femër tjetër edhe ajo mundohet që kur del të jetë përherë e grimuar dhe e veshur bukur.
Mihrije Braha
Komplimentet që i bëhen këngëtares Mihrije Braha për pamjen e saj janë të shumta dhe krejtësisht të merituara. Edhe pse, sipas këngëtares, bukuria e saj reflekton gjendjen e brendshme dhe natyrën pozitive, falë edhe ngrohtësisë e dashurisë së familjes së saj. Për të qenë ngaherë në formë Mihrije kujdeset shumë për pamjen në skenë, dhe për këtë i dedikon kohë palestrës dhe kozmetikës, dhe natyrisht që kujdeset edhe për dietën ushqimore, por siç e ka theksuar vetë ajo pa e tepruar me asnjërën prej tyre.
Ornela Bregu
Është pa dyshim një nga femrat më fine të ekranit Ornela Bregu. E ka nisur karrierën e saj si moderatore që në moshën 18- 19 vjeçare, edhe pse dalja e saj më zyrtare ka qenë gjatë vitit 1988 në telebingon shqiptare përkrah Ad Krastës, e më pas në koncerte e spektakle të ndryshme. Vitet e fundit e kemi parë të prezantojë “E diell” përkrah Alban Dudushit, edhe pse edhe pasionin e saj për të kënduar nuk e ka lënë tërësisht në gjumë, duke kënduar herë pas here në spektakle të ndryshme televizive. Gjithmonë elegante, e veshur me shije të hollë Ornela mbetet një figurë e këndshme televizive. Kohët e fundit moderatorja ka bërë publike në rrjetet sociale një foto të sajën, duke prezantuar Festivalin e Këngës Popullore në RTSH gjatë vitit 1999. Edhe pse kanë kaluar 17 vite Bregu e ka ruajtur freskinë e bukurisë së saj në mënyrë të habitshme.
Monika Lubonja
E rafinuar, plot klas e hijeshi, e tillë është Monika Lubonja. Edhe pse është bërë nënë që në moshë të re, kur ende nuk kishte mbaruar Akademinë e Arteve, Lubonja duket se ruan ende të paprekur shpirtin fëmijëror. E kuruar deri në detaj, pamja dhe veshja e saj përkëdhelin natyrshëm aparatin fotografik. Edhe pse do të kishte qenë me siguri një figurë shumë e pëlqyer e ekranit, Monika është tërhequr herët nga aktrimi në kinema dhe në teatër, aktualisht është në pozicionin e drejtoreshës në Teatrin e Kukullave.
Rajmonda Bulku
Sytë si dy kristale, me flokët e zeza dhe lëkurën e bardhë si bora, me siguri që shtuar edhe talentin e padiskutueshëm nëse do të kishte lindur në një vend perëndimor Rajmonda Bulku nuk do ta kishte të vështirë të bëhej një nga divat më të hijshme të Hollywood-it. E megjithatë në vendin tonë me siguri që e meriton plotësisht vendin si ikona më e bukur e kinematografisë shqiptare. Dy vitet e fundit ka qenë e pranishme në skenën e teatrit, së fundmi e pamë të interpretojë në komedinë e Aristofanit “Pushteti i grave” vënë në skenë nga regjisori Spiro Duni.
Vera Grabocka
Pas programeve më spektakolarë të ekranit shqiptar në të shumtat herë fshihet pikërisht një figurë femërore. Bëhet fjalë për Vera Grabockën, bashkëshorten e aktorit të mirënjohur Timo Flloko, e cila mund të konsiderohet pa frikë, si një ndër femrat më të suksesshme në vendin tonë. Duket se producentja ka bërë “pakt me djallin” pasi energjia dhe forma e shkëlqyer fizike e saj të lënë me të vërtetë mbresa. /Shekulli/
Discussion about this post