Regjizori Kastriot Çipi përmes një shkrimi në profilin e tij në ‘Facebook’ ka reaguar ndaj shkrimit në gazetën ‘Tema’ sipas të cilit Çipi dhe Budina, në bazë të një vendimi gjykate rezultonin të ishin dënuar për vjedhje fondesh të filmave.
Ai thekson se emri i regjizorit Robert Budina nuk duhej të përmendej fare pasi sipas tij në kohën kur është bërë gjyqi nuk ka qenë produktor i dokumentarit, por sipas tij Mero Bazes dhe “rilindjes” i duhej kjo përfshirje që të përbaltë edhe më tej protestën për Teatrin.
Më tej, regjizori Çipi bën të njohura dhe detajet rreth gjyqit në fjalë, që sipas tij nuk është zhvilluar ndaj tij personalisht por kompania e tij është paditur civilisht, duke shtuar se akuza për kallëzim penal është një shpifje e qëllimtë.
Duke e cilësuar vendimin e gjyqit skandaloz, Çipi shprehet se nuk bëhet fjalë për 8,8 milion lekë, por për 880 mijë lekë të vjetra, ndryshe nga sa thuhet në shkrim.
“Sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Tiranës (gazeta zotëron një kopje), Çipi dhe Budina kanë përfituar një fond nga QKK-ja për realizimin e filmit dokumentar me titull “Film i këputur”. Ky film, i cili mendohej të ishte me metrazh 60 minuta, “u këput” ende pa u nisur dhe nuk u realizua kurrë nga dyshja Çipi-Budina, edhe pasi këta kanë tërhequr 8.8 milion lekët e akorduara nga QKK-ja”, thuhej në shkrimin e gazetës ‘Tema’.
Por në lidhje me këtë Kastriot Çipi sqaron se pasi kishte mbaruar të gjitha intervistat dhe xhirimet në Tiranë priste ardhjen e personazhit të filmit, regjisorit Viktor Stratobërdha, nga Greqia, ku ishte emigrant, për intervistën kryesore, por ai ishte larguar në Kanada ku kishte fituar statusin e azilantit politik. Në këto kushte, ai nuk mund të vinte në Shqipëri, pasi kjo do t’i shkaktonte humbjen e statusit të azilantit politik, atij vetë dhe familjes.
Çipi shpjegon se në tetor 1999 ai dha dorëheqjen nga funksioni i nëndrejtorit të Teatrit Kombëtar dhe doli publikisht kundër të ministrit të kulturës (Edi Rama) dhe projekt-ligjit “Për Teatrin”.
Sipas tij, prej kësaj kohe mes tij dhe QKK (Qendra Kombëtare e Kinematografisë) nuk pati më mirëkuptim dhe vullnet për zgjidhjen e problemeve që lidheshin me realizimin e filmit dhe QKK filloi ta padiste në gjykatë për “mosrespektim detyrimi kontraktor”.
Këtë ia kishte bërë të ditur vetë Edi Rama në takimin në kryeministri, më 8 shkurt 2000 kur ishte pjesë e përfaqësisë së artistëve që kundërshtonin projekt-ligjin “Për Teatrin”.
“Kërkoje Mero, se do ta gjesh në transkriptin e takimit”, shkruan Kastriot Çipi i cili thotë se ai kishte bërë përpjekje për të shkuar në Kanada për të realiziar filmin, por i ishte refuzuar viza.
Në të gjithë këtë histori ai rrëfen se ajo që i ka mbetur peng është mosrealizimi i filmit.
“Ajo që mbetet në të gjithë këtë histori, është pengu im për mosrealizimin e filmit, kasetat video në sirtarin tim, që QKK nuk i pranon dhe përdorimi politik i këtij vendimi absurd gjykate, sa herë unë jam i përfshirë në një konflikt publik me Edi Ramën”, thotë ai.
Postimi i plotë i Kastriot Çipit:
Edhe një herë për Mero Bazen dhe të tjerë si ai
“Tema” e Bazes sot më ka akuzuar mua dhe kolegun Budina, si “të dënuar për vjedhje” me vendim gjykate. Për respekt të opinionit publik, më duhet të bëj këto sqarime:
1. Kolegu Budina ka qenë produktor i dokumentarit në momentin e aplikimit për fond nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, por jo në kohën kur ka ndodhur procesi gjyqësor CIVIL për “mosrespektimin e detyrimit kontraktor”. Në këtë periudhë produktori kam qenë unë. Thënë këtë, emri i kolegut Budina duhej të ishte fare jashtë kësaj historie. Por Meros dhe “rilindjes” i duhej kjo përfshirje që të përbalte edhe më tej protestën për Teatrin.
Në vijim po pastroj baltën e hedhur në drejtimin tim.
2. Jo vetëm nuk jam dënuar ndonjëherë për vjedhje, por as jam kallëzuar ndonjëherë penalisht për vjedhje, apo për çfarëdo vepre tjetër penale. Mero shpif qëllimisht. E vërteta është se jo unë si individ, por kompania ime, është paditur CIVILISHT për “mosrespektim të detyrimit kontraktor”. Dhe mospërmbushja e detyrimit kontraktor, me KUSHTETUTË nuk përbën vepër penale dhe nuk mund të dënohet me burg.
3. Gjyqi është bërë NË MUNGESË dhe ka marrë formë të prerë PA MARRË UNË NJOFTIM. Por edhe këto “detaje” Meros nuk i interesojnë.
4. Nuk bëhet fjalë për 8,8 milion lekë, por për 880 mijë lekë. “Të vjetrat” me “të rejat” ndryshojnë 10 fish, por Mero bën sikur i ngatërron pa dashje.
5. Që vendimi është skandaloz, e tregon edhe fakti se kamatëvonesa për moskthimin e shumës është gati trefishi i shumës së përfituar: 2.2 milion (të reja Mero!)
6. Letra e qershorit 1999 drejtuar QKK për kthimin shumës dhe zgjidhjen e kontratës është absolutisht e vërtetë. Por pjesa tjetër e së vërtetës është se QKK nguli këmbë se filmi duhej të realizohej patjetër, pavarësisht vonesave. Projekti ynë nuk ishte as i pari, as i fundit që vonohej në realizim. Në këto kushte, kolegu Budina u tërhoq nga projekti dhe punën e vazhdova unë.
7. Pikërisht pse isha i vendosur ta realizoja filmin, nënshkrova një kontratë bashkëprodhimi me TVSH dhe fillova xhirimet. Pasi mbarova të gjitha intervistat dhe xhirimet në Tiranë dhe prisja ardhjen e personazhit të filmit, regjisorit Viktor Stratobërdha, nga Greqia, ku ishte emigrant, për intervistën kryesore, mësova se ai kishte emrigruar sërish, këtë herë në Kanada, ku kishte fituar statusin e azilantit politik. Në këto kushte, ai nuk mund të vinte në Shqipëri, pasi kjo do t’i shkaktonte humbjen e statusit të azilantit politik, atij vetë dhe familjes.
8. Në tetor 1999 unë dhashë dorëheqjen nga funksioni i nëndrejtorit të Teatrit Kombëtar dhe dola publikisht kundër politikave anti-teatër të ministrit të kulturës Rama dhe projekt-ligjit “Për Teatrin”. Nga ky moment, mes meje dhe QKK nuk pati më mirëkuptim dhe vullnet për zgjidhjen e problemeve që lidheshin me realizimin e filmit. Në vend të një rishikimi buxheti, që do të përfshinte edhe mbulimin e shpenzimeve për një udhëtim të grupit të xhirimit në Kanada, ku ndodhej personazhi i filmit, QKK filloi të më padiste në gjykatë për “mosrespektim detyrimi kontraktor”. Këtë ma bëri të ditur vetë Edi Rama, në takimin në kryeministri, më 8 shkurt 2000, ku isha pjesë e përfaqësisë së artistëve që kundërshtonin projekt-ligjin “Për Teatrin”. Kërkoje Mero, se do ta gjesh në transkriptin e takimit.
9. Më 31 maj 2000, personazhi i filmit tim ndrroi jetë, duke e vështirësuar edhe më tej realizimin e filmit.
10. Pavarësisht gjyqit në mungesë, hyrjes në fuqi të vendimit pa marrë njoftim unë si subjekt i interesuar, kamatëvonesës edhe më absurde me vlerë trefishin e shumës së përfituar, në vitin 2014 bëra një përpjekje për të shkuar individualisht në Kanada (sepse e kisha të pamundur të financoja udhëtimin e një grupi të plotë xhirimi) dhe m’u refuzua viza.
Ajo që mbetet në të gjithë këtë histori, është pengu im për mosrealizimin e filmit, kasetat video në sirtarin tim, që QKK nuk i pranon dhe përdorimi politik i këtij vendimi absurd gjykate, sa herë unë jam i përfshirë në një konflikt publik me Edi Ramën.
Shkrimi i gazetës ‘Tema’
Dy drejtuesit e protestës së Partisë Demokratike për teatrin, Kastriot Çipi dhe Robert Budina, rezultojnë të dënuar për vjedhje fondesh të filmave me vendim të formës së prerë.
Gazeta ka zbuluar vendimin e marrë nga Gjykata e Rrethit Tiranë, e cila i shpall dy protagonistët e protestës kundër ndërtimit të teatrit të ri, Kastriot Çipin dhe Robert Budinën, si përvetësues të shumës prej 8.8 milion lekësh dhe fajtorë për moszbatimin e një kontrate me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK).
Sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Tiranës (gazeta zotëron një kopje), Çipi dhe Budina kanë përfituar një fond nga QKK-ja për realizimin e filmit dokumentar me titull “Film i këputur”.
Ky film, i cili mendohej të ishte me metrazh 60 minuta, “u këput” ende pa u nisur dhe nuk u realizua kurrë nga dyshja Çipi-Budina, edhe pasi këta kanë tërhequr 8.8 milion lekët e akorduara nga QKK-ja.
Në këtë situatë, QKK-ja i është drejtuar menjëherë Gjykatës së Rrethit Tiranë me një kallëzim penal për Çipin dhe Budinën, të cilët janë shpallur fajtorë me akuzën e vjedhjes së fondit.
Por, në dyert e gjykatave dhe zyrës përmbarimore, dy personat në fjalë i janë shmangur në vazhdimësi zbatimit të vendimeve gjyqësore, duke mos e kthyer kurrë shumën për të cilën janë dënuar.
Si nisi çështja?
Çështja në fjalë e ka zanafillën kur dy regjisorët e mësipërm nëpërmjet shoqërisë “ARTEMEDIA FILM” shpk aplikuan dhe fituan rreth 11 milionë lekë për realizimin filmit dokumentar “Film i këputur”, prodhim elektronike – BETACAM, 60 min i gjatë, me skenar dhe regji të Kastriot Çipit.
Midis QKK-së dhe dy të dënuarve u lidh një kontratë financimi për realizimin e këtij filmi.
Në këtë kontratë u përcaktuan të gjitha të drejtat dhe detyrimet e palëve dhe kundrejt këtij financimi “ARTEMEDIA FILM” shpk në cilësinë e producentit kishte detyrimin që të organizonte prodhimin e filmit, sipas skenarit letrar të paraqitur.
Në kuadrin e detyrimeve, sipas kësaj kontrate, për prodhimin e filmit QKK-ja do të paguante një shumë të hollash në vlerën 11 milion lekë.
Pagesa do të bëhej në tre këste, ku kësti i parë i lëvruar ishte në masën 8.8 milion lekë, ndërsa këstet e tjera do të paguheshin më vonë.
Por, pavarësisht këtyre detyrimeve, Çipi dhe Budina morën lekët dhe nuk e realizuan kurrë filmin, për të cilin përfituan nga fondet e taksapaguesve shqiptarë.
Në vendimin e gjykatës, theksohet se: “Në ecurinë e realizimit të kësaj kontrate, nga pala e paditur është paraqitur një kërkesë me shkrim e datës 30.6.1999 sipas të cilës përfaqësuesi i saj, Robert Budina kërkon një zgjidhje me mirëkuptim të kontratës dhe gjithashtu thekson se granti është rikthyer në llogarinë e Q.K.K, ku bashkangjitur kësaj shkrese, sipas tij, duhej të ishte dhe konferma bankare që të vërtetonte një fakt të tillë. Kjo konfermë nuk ndodhet e paraqitur si provë dhe as bashkangjitur kësaj shkrese, gjë e cila përkon me faktin që nga pala e paditur është kërkuar vazhdimi i mëtejshëm i kontratës nëpërmjet një deklarate angazhimi të datës 15.12.1999 e nënshkruar nga Kastriot Çipi, me cilësinë e administratorit të palës së paditur”.
Pra, siç edhe bën të ditur gjykata, Kastriot Çipi dhe Robert Budina kanë pretenduar para saj se e kanë kthyer shumën e përfituar nga QKK-ja, por nuk kanë qenë në gjendje ta vërtetojnë atë, duke kryer një shkelje tjetër ligjore: mashtrimin e gjykatës.
Vendimi i Gjykatës
E ndodhur në këto kushte, kur nga Çipi dhe Budina nuk janë përmbushur detyrimet e tyre kontraktore, QKK-ja i është drejtuar sërish gjykatës duke kërkuar kthimin e shumës së akorduar, kamatvonesave dhe penaliteteve të tjera. Nga provat e paraqitura në gjykim, gjykata e ka gjetur të drejtë kërkesën e QKK-së, ndaj ka vendosur pranimin e kërkesëpadisë dhe detyrimin e palës së paditur, “ARTEMEDIA-FILM” shpk, me drejtues Çipin dhe Budinën, të përmbushë kundrejt palës paditëse “Qendra Kombëtare e Kinematografisë”, detyrimin që rrjedh nga kontrata, i llogaritur në masën 30 milion lekë (8.8 milion lekë shuma e akorduar + 21.2 milion lekë penalitet).
Odisea me përmbarimin
Më vonë, QKK-ja me kryetar aktorin e njohur Xhevdet Ferri, përmes një shkrese kërkon lëshimin e urdhërit të ekzekutimit të vendimit gjyqësor. Sipas kësaj shkrese, Gjykata e Rrethit Tiranë me vendimin e saj nr. 1910, datë 05.04.2006, ka pranuar padinë e ngritur nga QKK-ja dhe ka vendosur që Çipi dhe Budina t’i paguajnë QKK-së shumën e akorduar në masën 8.8 milion lekë, kamatëvonesat në masën 21.2 milion lekë, si dhe përballimin e shpenzimeve gjyqësore në masën 640 mijë lekë.
Vendimi i mësipërm ka marrë formë të prerë dhe si rrjedhim ka cilësinë e titullit ekzekutiv. Por, rreth 1 muaj më vonë, në datë 20.06.2006, QKK-ja i drejton një kërkesë Zyrës së Përmbarimit të Rrethit Tiranë për zbatimin e Urdhrit të Ekzekutimit të datës 22.05.2006 të Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Por, këtu ndodh edhe çudia e radhës: Në përgjigje të kërkesës, Zyra e Përmbarimit Tiranë i bën të ditur QKK-së se ka vendosur ta pushojë urdhrin e ekzekutimit sepse të paditurit, pra Çipi dhe Budina, nuk kanë pasuri për shlyerjen e detyrimit. QKK-ja ka bërë edhe një përpjekje të fundit për të marrë mbrapsht fondin e përvetësuar nga dyshja Çipi dhe Budina, por pa sukses. Mandej, drejtori i QKK-së i asaj kohe, Artan Minarolli, ka vënë në dijeni edhe ministrin e Drejtësisë së kohës, Bujar Nishani, e prej tij vetëm heshtje.
Edhe sot e kësaj dite, Kastriot Çipi dhe Robert Budina, rezultojnë si të dënuar për vjedhje nga shteti shqiptar me akuzën e përvetësimit të fondeve publike, që akordohen për realizimin e veprave artistike.
(B.H/Faxweb)