Ditën e djeshme ndërsa ka qenë në një prej studiove televizive aktori Laert Vasili është shprehur për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, qoftë edhe duke derdhur gjak.
Sipas tij ky është një moment historik dhe është koha që shqiptarët të ndërgjegjësohen dhe të vendosin për të ardhmen e tyre.
“Unë mendoj se sot më tepër se kurrë është çast historik. Ky bashkim kombëtar është nevojë që rri pezull këtu e më tepër se një shekull. Është çasti që shqiptarët të ndërgjegjësohen. Nëse e duam bashkimin me Kosovën, atëherë le të ndjekim njerëz të cilët e kanë këtë ideal. T’u ofrojmë atyre ndihmën tonë”, është shprehur Vasili në studion e Zhejit.
Lidhur më këtë deklaratë të tij ka reaguar në një status të shkurtër dhe plot ironi dhe regjisori Kastriot Çipi.
‘’Vetëm na thuaj më parë cilën pjesë të gjakut do të derdhësh ti vetë dhe për bashkimin e cilit komb?”, shkruan Çipi, duke i referuar faktit se Vasili është dhe nënshtetas grek, dhe një pjesë të mirë të karrierës së tij e ka pasur në shtetin helen.
Vasili dhe Çipi kanë qëndruar në anët e kundërt të grupimeve mes artistëve, sa i takon çështjes së prishjes së Teatrit Kombëtar. Vasili është pozicionuar qartë pro qeverisë dhe kundër Teatrit.
(E.K/FAXWEB.AL)