Partia e djathtë franceze “Debout La France” ka reaguar ashpër për kthimin e 110 qytetarëve kosovarë nga Siria në Kosovë. Në një deklaratë, të lëshuar në datën 23 prill, partia e djathtë franceze, dënon veprimin e ndërmarrë nga autoritetet kosovare, pasi sipas tyre, Kosova vazhdon të mbetet një vend me rrezikshmëri të lartë sa i përket terrorizimit.
“Franca e denoncon këtë vendim të një vendi, në të cilin rreziku terrorist mbetet i lartë. Në tetor 2018, Prishtina njoftoi se kishte arrestuar 4 islamikë, të cilët planifikonin sulme në Francë dhe Belgjikë, kundër komunitetit serb të Kosovës, si dhe kundër misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë. Rreziku i sigurisë prandaj mbetet i pranishëm në një vend nën tension. Ndërsa ky vend është në negociata me Bashkimin Evropian për heqjen e vizave, është një sinjal i keq që u dërgohet evropianëve”, thuhet në deklaratën e të djathtëve francez.
Në këtë situatë, ‘Debout la France’, bën thirrje që Franca të kundërshtojë fuqishëm në Parlamentin Evropian dhe Bashkimin Evropian, çfarëdo veprim në favor të pranimit të Kosovës, e cila teksa prêt vendimin për liberalizimin e vizave synon edhe procesin e integrimit në BE.
“Qëndrimi i Francës është i vendosur të kundërshtojë fuqishëm Parlamentin Europian dhe Bashkimin Evropian, për çdo veprim në favor të pranimit të Kosovës në BE. Politika e afrimit ka qenë një dështim i kushtueshëm për Bashkimin Evropian pa asnjë përmirësim në çështjet e skllavërisë seksuale, trafikimit të drogës, sundimi i ligjit dhe të spastrimit etnik. Sot, Kosova refuzon çdo konsultim me Bashkimin Evropian për të ardhmen e xhihadistëve dhe sigurinë e kontinentit”, theksojnë deputetët e djathtë francez.
Në fund, deputetet e djathtë francez bëjnë thirrje që t’i jepet fund procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, që në vitin 2011 ishte mbështetur nga Sekretar i Shtetit për Çështje Evropiane në atë kohë dhe shumë deputetë. Kthimi i shtetasve kosovarë nga Siria erdhi pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë shumë shtete të Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe Francën janë duke refuzuar ta bëjnë një gjë të tillë.
Discussion about this post