Të frikshme janë shifrat e publikuara nga “Gallup”, 56 % e shqiptarëve kërkojnë të ikin nga vendi. Duhet thënë se vitet e fundit shifrat e personavë që duan të lënë Shqipërinë janë dyfishuar.
Nëse i hedhim një sy tabelës, Shqipëria renditet në vendin e dytë në të njëjtin përqindje me Haitin, duke lënë pas dhe vende që janë në gjendje lufte si Siria.
Sipas Gallup, më shumë se gjysma e shqiptarëve, përkatësisht 56 për qind e popullsisë duan të largohen nga vendi. Pas Shqipërisë, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria rezulton në vendin e nëntë.
Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016. Përveçse në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë që do të emigrojë, Shqipëria është edhe ajo që ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi vitet e fundit.
Sipas Gallup, në periudhën 2010-2012 pjesa e shqiptarëve që donin të emigronin ishte vetëm 36 për qind. Ndërsa në 3 vitet pasardhëse pjesa e popullsisë që do të largohet nga Shqipëria gati është dyfishuar, duke arritur në 56%.
Duhet thënë se vetëm në vitet e fundit të gjithë ne jemi dëshmitarë të largimeve në masë sidomos drejt Gjermanisë. Pavarësisht se Shqipëria është konsideruar një vend i sigurt dhe procedurat e azilit janë të vështira, kjo nuk i ka ndaluar shqiptarët që të provojnë shansin e tyre. (E.K/SHUPLAKA)