Rreth 81 të plagosurit e parë të evakuuar dhe tre autobuzë me shtetas të huaj u lejuan të kalojnë të mërkurën nga Gaza për në Egjipt, bazuar tek një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Katari, ndërsa forcat izraelite vazhduan betejën ndaj militantëve të Hamasit në enklavën palestineze. Forcat izraelite goditën për të dytën ditë me radhë një kamp refugjatësh në Jabaila, ku autoritetet palestineze thanë se nga sulmi ajror i një dite më parë u vranë 50 persona dhe u plagosën 150 të tjerë. Autoritetet izraelite thanë se aty strehohej një ndër komandantët kryesorë të Hamasit që planifikoi sulmin e 7 tetorit ndaj civilëve izraelitë.
Të evakuarit e plagosur u transportuan me ambulanca përmes pikës kufitare në Rafah. Sipas marrëveshjes së arritur mes Egjiptit, Izraelit dhe Hamasit, një numër të huajsh dhe të plagosurish do të lejohen të largohen nga territori i rrethuar.
Evakuimi pasoi një tjetër ditë të përgjakshme në Gaza, pasi një sulm ajror izraelit goditi në Jabalia në kampin më të madh të refugjatëve në Gazë. Sipas ushtrisë izraelite sulmi ajror vrau Ibrahim Biarin, një komandant i Hamasit që kishte luajtur rol thelbësor për organizimin e sulmit të 7 tetorit, si dhe mbi dymbëdhjetë luftëtarë të tjerë të Hamasit.
Sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë të Gazës, e cila qeveriset nga Hamasi, të paktën 50 persona u vranë dhe 150 u plagosën, ndërsa Hamasi, grup që Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë organizatë terroriste, thotë se bëhej fjalë për 400 viktima në kampin ku strehohen refugjatë që nga vitin 1948.
“Forcat tona vazhdojnë të zgjerojnë operacionet tokësore në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Gjatë natës, forcat u angazhuan në beteja të rëndësishme, përfshirë në një godinë shumëkatëshe në zonën e Jabaliyas. Terroristët qëlluan ndaj forcave tona. Hamasi e përdori atë godinë, si shumë të tjera, si një bazë të sigurtë. Pra përdorim i qëllimshëm i një strukture civile, pranë një shkolle, një qendre mjekësore dhe zyrave të qeverisë”, tha zëdhënësi i Forcave Mbrojtëse Izraelite, Kundëradmiral Daniel Hagari.
Izraeli futi forcat ushtarake në territorin e kontrolluar nga Hamasi pas javësh bombardimesh nga ajri dhe me artileri, në kundërpërgjigje të sulmit të vdekjeprurës të grupit islamik në Izraelin jugor më 7 tetor. Izraeli është zotuar për eliminimin e Hamasit. Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat al-Qassam, thanë se nga sulmi ajror u vranë edhe shtatë pengje izraelite, tre prej të cilëve shtetas të huaj. Izraeli nuk komentoi rreth këtij pretendimi.
Sipas ushtrisë izraelite u vranë gjatë luftimeve të së martës edhe njëmbëdhjetë ushtarë izraelitë, humbjet më të mëdha brenda një dite që nga fillimi i ofensivës.