Vlora vijon që të prodhojë debate të forta mes presidentit të vendit Ilir Meta dhe Damian Gjiknurit, i cili premton që në qarkun që ai drejton politikisht PS-ja të marrë 9 mandate.
Teksa Meta e ftoi që dje në një përballje sot në një televizion lokal, Gjiknuri duket se e ka refuzuar presidentin për herën e disatë, duke thënë se ai tashmë është kthyer në një avatar që bën parashikime.
“Numri 12 duhet të jetë edhe referendum për këtë avatarin e ditëve të fundit që ka zbritur në Vlorë e që zbuloi komplotin se tha do marrin 9 mandate. Unë tha zbulova komplotin se vlonjatët do të votonin për 9 mandate për Partinë Socialiste. Pra, problemi i këtij mikut që erdhi nga Tirana, Presidenti që na u vetshpall lider i opozitës kishte hallin pse qytetarët e Vlorës do të jepnin 9 mandate për Partinë Socialiste.
E vërteta është se qytetarët e Vlorës do ti japin 9 mandate për Partinë Socialiste sepse Partia Socialiste ja ngriti dinjitetin Vlorës jo thjesht me këngë, histori e lapidare por edhe me vepra konkrete. Patjetër këtyre ju vret sytë e bukura, edhe Presidentit edhe këtyre tjerëve këtu. Në çdo vend që trokasin ju thonë se në Vlorë po bëhet ndryshim i madh.
Avatari që ka ardhur të zbulojë komplotet në Vlorë ka dalë dhe thotë unë jam kandidati i opozitës, unë jam drejtuesi i opozitës. Ai ka kohë që kërkon një referendum, le ti japim referendumin në Vlorë. Qytetarët e Vlorës nuk janë mish për top, as njerëz që mbajnë armët aty fshehur dhe tu vijë Ilir Meta tu thotë rrëmbeni armët ju për kuislingët.
Ne në histori kemi luftuar pushtuesit, ne jemi pro zhvillimit dhe të mirës. Tani meqe ai do referendum, le ti japim referendumin alla vlonjatçe me 9 mandate për Partinë Socialiste dhe ai të mos shkelë më në Vlorë”, u shpreh Gjiknuri gjatë takimeve që pati me banorë të Vlorës, ndërsa nuk mungoi përgjigja e Metës, teksa foli për gazetarët.
“Të fala Gurusë. Vlora e vlonjatëve”, u shpreh Meta përpara gazetarëve.
(E.K/Faxweb.al)