Parditen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një video të një ceremonie fetare, ku i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama. Berisha pyeste se pse Rama e ka mbajtur të fshehtë këtë ceremoni, dhe e lidhte këtë me Athinën, po pa specifikuar në asnjë moment se video është realizuar në Greqi. ‘’Të gjitha rrugët të çojnë në Athinë”, shkruante ish-kryeministri.
Ndoshta ky krahasim i Berishës është bërë për shkak se në fjalën e mbajtur në nder të Ramës patriarku i Jeruzalemit u shpreh: “Ne krenohemi për marrëdhënien tonë të ngushtë me Kishën Ortodokse të Shqipërisë dhe vëllain tonë, Kryepiskopi Anastas. Kisha Ortodokse është duke luajtur një rol jetik në promovimin e shoqërisë multi-kulturore dhe multi-fetare të vendit tuaj, dhe Kryepiskopi Anastas është thellësisht e përkushtuar për mirëqenien e Shqipërisë dhe të gjithë popujve të saj”.
Mirëpo kjo mungesë sqarimi e ish-kryeministrit Sali Berisha ka bërë që në një postim në Twitter drejtori i komunikimit në kryeministri Endri Fuga të japë të vërtetën e tij lidhur me atë që ka ndodhur, dhe t’i konsiderojë si shpifje deklaratat e bëra nga Berisha.
Fuga shkruan se ceremonia që përmend Berisha: ”Është mbajtur në dhjetor 2015 në Shtetin e Izraelit. Dhe siç e duan doket e mira protokollare, por edhe veçoria e një vendi si Shqipëria që dallohet për bashkëvëllazërinë fetare, delegacioni shqiptar në atë kohë, vizitoi vendet e shenjta në Jeruzalem dhe i bëri respektet krerëve të komuniteteve fetare ku më i moçmi ndër të cilët është ai ortodoks nën udhëheqjen e Patriarkut të Jeruzalemit, Fatlumërisë së Tij, Teofili III”.
Më tej ai sqaron:“Siç ndodh me të gjithë krerët e shteteve apo qeverive në vizitë protokollare në Patriarkatin e Jeruzalemit, Fatlumëria e Tij i akordoi kryeministrit Rama gradën më të lartë të urdhrit patriarkal të varrit të Shenjtë të Jeruzalemit, atë të kordonit të madh”. Fuga shprehet se kjo ceremoni është pasqyruar gjerësisht në media”.
(E.K/FAXWEB.AL)