Në studion e Fax News, akademiku Artan Fuga foli edhe për debatin e madh në lidhje me reformën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Fuga tha se çështja e reformës në Akademinë e Shkencave është e njëjta gjë në thelb me çështjen e protestës së Kuksianëve kundër tarifës në Rrugën e Kombit.
Artan Fuga u shpreh se kryeministri nuk dëgjon askënd.
“Këtë mund ta quaj autizëm institucional. Ne vuajmë si shoqëri nga autizmi institucional prej kohësh. Kjo sëmundje nuk është vetëm vertikale, por kjo është edhe horizontale në planin social. Ti flet dhe askush nuk të dëgjon.
Kjo sëmundje ka zënë dhe dikasteret. Unë personalisht për veten time kam pasur projekte alternative që prej 5-6 vjetësh dhe asnjëherë nuk jam dëgjuar nga kryesia e Akademisë. Asnjëherë nuk më kanë lejuar që propozimet që kam pasur, mirë a keq të m’i dëgjonin dhe të thonin që ‘të dëgjuam o Artan, tani si asamble po marrim një vendim që nuk na duhen këto propozime’.” – tha akademiku.
Fuga vijoi duke thënë se çështja u përkeqësua më tej.
“Unë fillova të reagoj në publik atëherë kur ndodhi një gjë shumë e shëmtuar: kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar dhe vazhdonim ashtu siç ishim. Unë dola në publik, zoti Rama foli nga ana e tij.
Çfarë ndodhi? Akademia u bllokua. Shkuam deri aty sa pushteti rrezikonte t’i priste fondet Akademisë duke i thënë që ‘ju nuk keni produkt’. Ata kanë të drejtë nga pikëpamja e analizës.
Ne jemi dhe një shoqëri minimaliste që po nuk e çuam gjënë në minimumin atje ku nuk mban më peri, ne nuk ndërhmë. Do të krijohej një komision i Akademisë që nëpërmjet asamblesë do të bënte reformimin. Po çfarë ndodhi?
Ministria, në fund të procesit, krijon një komision shtetëror dhe nuk pyet fare asamblenë e Akademisë. Nuk ka sot asnjë vendim të asamblesë së Akademisë për draftin që po prezanton komisioni që quhet shtetëror.
Kjo do të thotë se as akademiku nuk dëgjohet e jo më kuksiani. Unë po të them që të gjithë akademikët jemi kuksianë. Në ç’kuptim? Në kuptimin që nuk na dëgjon njeri.” – theksoi Fuga.
Në lidhje me draftin e propozuar nga Ministria e Arsimit, professor Fuga tha se shkenca në Shqipëri është marrë peng nga Akademia.
“Akademia është marrë peng nga akademikët. Akademikët kanë qenë marrë peng nga kryesia e Akademisë dhe tani reforma është marrë peng nga ky komisioni shtetëror që na propozon një institucion i cili do të jetë buxhetor dhe i cili do të kontrollojë të gjithë shkencën në Shqipëri dhe do të jetë instanca më e lartë e shkencës në Shqipëri; që do të krijojë institutet e veta a thua janë pak këto institute që kemi krijuar. Në këtë institucion, akademiku do të jetojë përjetësisht si akademik dhe do të marri vendime për shkencën përjetësisht pavarësisht nga mosha ose pavarësisht se nuk është i atashuar në një grup kërkimi shkencor.” – tha Fuga.
“Unë them stop! Mjaft! Kjo është ajo që dështoi Akademinë dhe ne përsëri po marrim një Akademi e cila që në projektligj është e dështuar. Të shikojmë nëse në këtë projektligj që sigurisht do t’i shkojë qeverisë, zoti Rama do ta pranojë duke marrë përsëri të njëjtën supër të prishur dhe do thotë që ‘reforma u bë’. Por unë uroj që të mos e bëjë këtë gjë.
Sot neve jemi së pari me një propozim që nga pikëpamja proçedurale është i paligjshëm. Së dyti jemi me një komision që pavarësisht respektit për njerëzit aty brenda, bllokoi vetëpropozimin e Akademisë.” – tha ai.
Akademiku Artan Fuga theksoi edhe njëherë se “brenda meje unë jam një kuksian sepse bërtas dhe nuk më dëgjon njeri. Foli sa të duash ministres së Arsimit dhe kryesisë së dikurshme të Akademisë, por nuk të dëgjojnë.”
“Unë kam shpresë që kryeministri nuk mund të hedhë një top sipër e të presë që topi t’i bjerë në kokë. Ai tha që Akademia është në gjendje katastrofike dhe e quajti atë një ‘agjensi funerale’.
Tani do t’i sjellin një agjensi që është e vendosur në parime edhe më të degraduara, si ato që përmban projektligji.” – vijoi ai.
“Nëse ai do ta pranojë atë, etapa ime tjetër do të jetë ajo e një kritike të rëndë të qëndrimit të tij. Shumë shpejt do të paraqes alternativën time në mënyrë të strukturuar megjithëse nuk jam i detyruar. Do të shkoj në grupet parlamentare dhe do të paraqes mendimi tim. Sigurisht që do të përpiqem e do ta tregoj shumë shpejt si është shpërdoruar paraja publike në Akademinë e Shkëncave. Kam të gjitha të dhënat dhe në bashkëpunim me një grup studiuesisht të rinj, po ndërtojmë kurbat, diagramat për të treguar që çfarë ka dhënë financiarisht me paranë publike ky sistem.
Me paranë publike ne kemi një Akademi Shkencash që nuk ndihmon shkencën por shpërdoron paranë publike. Unë do ta vërtetojë këtë sepse i kam të gjitha të dhënat.” – paralajmëroi Fuga.
Në fund, Artan Fuga bëri apel për kthimin e Akademisë kombit shqiptar dhe jo më mbajtjen peng nga disa njerëz.
“Unë di një gjë që unë nuk dorëzohem kurrë dhe unë do të vazhdoj të bëj përpjekjet e mia deri sa ajo akademi t’i dorëzohet kombit, t’i dorëzohet kërkuesve shkencorë. Unë e kam thënë që Akademia nuk janë akademikët, nuk jemi ne. Do të hedh dhe sfida të tjera. Për mendimin tim ka ardhur momenti që të gjykohet që ne akademikët nuk mund të marrim peng kolltuqet tona në mënryë të përjetshme duke përfshirë të parin mua.
Raporti për shpërdorimin e parave publike në Akademi është i depozituar dhe do të bëhet publik javën tjetër.” – tha Fuga në përfundim të intervistës së tij në Fax News.
Intervista e plotë e Akademik Artan Fugës, në Fax News:
(E.L/Faxweb)