Kreu në detyrë i PD-së për Shkodrën, Xhevdet Amulli, pretendon se është lënë jashtë protokollit, gjatë ceremonisë që është zhvilluar sot në qytet, në kuadër të nderimeve për 4 të rinjtë e vrarë në 2 Prill, të cilët janë konsideruar dhe martir të demokracisë.
Amulli pretendon se në ceremoninë e sotme, PD lokale është lënë jashtë protokollit, dhe thotë se selia e degës lokale ka qenë e hapur për çdo përfaqësues.
Por pavarësisht pretendimeve të Amullit, në media kanë dalë pamje, të selisë së kyçur, pasi Amulli ka kundërshtuar kandidaturën e Bardhit për Bashkinë e Shkodrës.
“Drejtuesit e protokollit duhet te jene te kujdesshem dhe nuk duhet te anashkalojne seline e PD Shkoder, ku prej asaj seli jane rritur politikisht.
Nuk eshte e vertete se jane kyçur dyert e selise se PD Shkoder. Ai qe thote se jane kyçur eshte keqdashes i Partise Demokratike dhe kerkon te çoje me tej perçarjen.
Selia e PD Shkoder eshte e hapur per cdo deputet te Shkodres dhe Shqiperise”, pretendoi Amulli.
Nga ana tjetër, deputetët e PD-së në Shkodër, Ramadan Lika, Emilia Koliqi, Helidon Bushati dhe Zef Hila janë vendosur për herë të parë në krah të Bardh Spahisë, kryetari i ri i bashkisë, i dalë nga zgjedhjet e 6 Marsit.