Fatmir Xhafaj do të zëvendësojë në postin e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahirin. Dy figura njëra më e kontestuar se tjetra. Tahiri i akuzuar për punën e dobët dhe lidhjen me trafikun e drogës dhe Xhafaj për të shkuarën e tij dhe lidhjen me regjimin komunist.
Duhet thënë se Xhafaj është i vetmi i kontestuar, tre emrat e tjerë kanë mbetur tërësisht në hije. Lum kritikash janë hedhur për emërimin e tij.
Basha dhe opozita e cilësojnë të papranueshëm emrin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, nga ana tjetër Presidenti Nishani u shpreh dje se pavarësisht rezervave që ka për figurën e Xhafajt nuk mund ta lërë pa dekretuar.
‘’Në vlerësimin tim kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme. Por, Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht i cili përcakton Kushtetuta për të qenë ministër është ai i kritereve për të qenë deputet.
Në rast se Kushtetuta e vendit do t’ia njihte të drejtën Presidentit, për të refuzuar propozimet e Kryeministrit bazuar në arsyetime, unë do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm.
Në kushtet që Kushtetuta nuk ia njeh këtë drejtë Presidentit, unë besoj dhe shpresoj që ai institucion që Kushtetuta ia njeh këtë të drejtë për të vlerësuar kandidaturat për ministër që është Parlamenti i Shqipërisë, do të gjykojë dhe vlerësojë të gjitha rrethanat, situatën politike dhe specifikën që ka jeta shoqërore, publike e politike e vendit, që janë zgjedhjet e ardhshme politik’’, u shpreh dje Nishani.
Nga ana tjetër pritet qëndrimi që LSI-ja do të mbaj për dekretimin e tij, po ashtu si janë shprehur edhe përfaqësues të saj emërimet dhe shkarkimet e ministrave janë target i Edi Ramës dhe ata do t’i votojnë.
Po kundër dekretimit të Xhafajt shprehen dhe një pjesë e mirë e gazetarëve të cilët kanë reaguar pas deklaratave të Presidentit.
Armand Maho (Gazetar)
I gjati (Rama) sapo deklaroi se do hyjë vetëm në zgjedhje për të votuar antarët e frontit demokratik! Aferim të qoftë! Jepi, vetëm futu, të shohim sa do e mbash fjalën dhe të shohim sa do zgjasësh!
PS: si fillim mi bëj të fala Fatmir Xhafës
Edi Oga (Moderator)
Presidenti në konferencë për shtyp:
“Shërbimet më të mira që unë si President mund të bëja për vendin, nuk mi lejon Kushtetuta!”
…pritet reagimi i Kushtetutës!
Andi Bushati (Analist)
Ndryshe nga pritshmëritë e krahut që mbështet Lulzim Bashën në PD, Bujar Nishani ka vendosur të mos e përfshijë presidencën në strategjinë e thellimit të krizës politike. Ai ka mbajtur një qëndrim legjitim, që bazohet në traditën e pararadhësve të tij, për t’i çuar drejt parlamentit dekretet e të gjithë ministrave që kërkon kryeministri.
Bujar Nishani rrefuzoi të dëgjonte thirrjen e kryetarit zyrtar të PD-së për ta penguar hyrjen e Fatmir Xhafës në zyrë, qoftë dhe me trupat e demokratëve.
Ai vendosi t’a interpretojë kushtetutën në mënyrën e tij. Askush nuk mund ta gjykojë për këtë. Ai mund të ketë qenë vërtet i bindur se po i qëndron betimit të pesë viteve më parë. Ai mund të ketë qenë i ndërgjegjshëm se po bën atë që duhet.
Endri Fuga (Këshilltari për median i Ramës)
“U mbars mali dhe polli lajme të rreme me stemë Republike”.
Erion Braçe (Deputet i PS)
Shoku Bujar një pyetje kam:
Ku ishit ju kur maxhoranca, ajo qe ka me shume mundesi e instrumenta, VRAU KATER KUNDERSHTARE NE BULEVARD?
Si nuk e mban mend?
Ta them unë;
Ministër i Drejtësisë i asaj maxhorance ishe.
A kishte situate me te tensionuar se ajo? Jo!
Armir Shkurti (Gazetar)
Nëse sot do të isha President i Republikës unë personalisht do të zgjidhja moralin dhe dinjitetin para kushtetutës. Teksa në orën 18 po dëgjoja Bujar Nishanin që po rendiste bëmat e Fatmir Xhafës në kohën e diktaturës, kur nga goja e Presidentit të Republikës dëgjova se ky njeri edhe paska torturuar, atëhere besova fort se ai NUK do ta dekretojë.
Por kreu i shtetit përmendi Kushtetutën. Sipas tij ligji themeltar i shtetit e pengon atë të mos e dekretojë. Në çast mendova se Bujar Nishani do tregohet burrë e do thotë: “por në djall kushtetuta! Unë këtë nuk e firmos!”. Ose, më shumë akoma. Të tregohej burrë shteti e të thoshte: ” Morali, parimet dhe bindjet e mia nuk më lenë ta firmos, dhe për të mos shkelur ligjin, po jap dorëheqjen”…
Kishte edhe një rrugë tjetër. Ta firmoste e ta mbyllte gojën.
Po ç’kuptim ka që të dalësh e t’u thuash shqiptarëve që njeriu që ka emërua kryeministri ministër të brendshëm është me të kaluar të zezë, por meqë nuk le ligji të mos e firmos, atëhere po e firmos?! Të keqen e Ponc Pilatit! (E.K/SHUPLAKA)