Paketa anti KÇK e cila pritet të marrë votën e të gjithë deputetëve socialistë (nëse duan të jenë ende të tillë pasi Rama i paralajmëroi me përjashtim) do të jetë totalisht kompetencë në ‘duart’ e Policisë së Shtetit.
Kjo e fundit mund të përgjojë, sekuestrojë, kontrollojë dhe të mbajë nën vëzhgim këdo për të cilin ka dyshime se është pjesë e krimit të organizuar apo përfiton të ardhura të jashtëligjshme dhe nuk justifikon standardin e jetesës.
Objekt i kësaj pakete janë dhe personat e dënuar jashtë ose brenda vendit për vepra penale me vendim të formës së prerë. Gjithashtu nën vëzhgim, kontrolle do të jenë dhe persona juridikë për të cilët policia dyshon se kanë lidhje, financojnë apo përfitojnë nga aktivitetet kriminale.
Ajo çka vërehet në këtë paketë KÇK është shmangia totale e gjyqësorit, ku pothuajse policia mund të kontrollojë çdo person për të cilin ka dyshime.
Për këta të fundit policia mund të urdhërojë deri në kufizimin e lëvizjes brenda një zone të caktuar si dhe bllokimin e pasaportës apo mjeteve të tjera identifikuese.
Personat e vënë nën vëzhgim apo objekt i këtij ligji do të kufizohen dhe në blerje të mjeteve të ndryshme të cilat mund të përdoren për aktivitete kriminale apo cënim të sigurisë dhe jetës së qytetarëve.
Një tjetër ‘përjashtim’ i vendimeve gjyqësore është dhe e drejta që kanë Struktura e ngritur nga Policia e Shtetit dhe BKH që të nisim hetin pasuror për individët që dyshojnë se niveli i jetesës nuk mbulohet nga të ardhurat. Pjesë e hetimit do të jenë bashkëshorti, fëmijët, bashkëjetuesi mbi 5 vjet, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë lidhje pasurie.
Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore.
Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontrolli fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart.
Subjektet ndaj të cilëve është vendosur masë parandaluese me karakter pasuror përjashtohen:
-nga licencat dhe autorizimet që lëshon Policia e Shtetit
-koncesionet kontratat dhe sherbimet publike në çdo sektor
-certifikatat të kualifikimit për të kryer punë
-subvencione apo kredi të subvencionuara.
Ndërkohë ndryshime pritet që të ketë dhe në procedurën që ndiqet për përgjimet ambientale, të cilat do të kryhen nga ana e policisë së Shtetit me autorizim nga ana e prokurorive përkatëse. Në ndryshim nga e kaluara ku përgjimet dhe mënyra si ato do të kryheshin do të varej nga ana e Prokurorisë, në paketën anti KÇK, këto procedura do të përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Përdorimi i paisjeve të lokalizimit do të kryhet po ashtu vetëm përmes autorizimit të Drejtorit të Pëtgjithshëm të Policisë së Shtetit, për lokalizimin e personave të dyshuar për krim të organizuar, akt terrorist, apo akt tjetër të rëndë që cënon sigurinë publike.
Ushtrimi i kontrolleve
Kontrollet në ndëertsa apo objekte të tjera shtetërore apo private do të mund të kryhen dhe me iniciativë nga një punonjës i policisë me gradën nëkomisar e lart.
Në banesa private kontrolli do të kryhet vetëm me autorizim të prokurorit.
Po ashtu edhe në këtë rast procedurat për kryerjen e këtyre kontrolleve do të vendosen nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Vëzhgimet sekrete, po ashtu procedurat për këtë do të miratohen nga Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Të drejta të veçanta të policisë së Shtetit
Kompanitë e telefonive celulare janë të detyruar që ti japin Policisë së Shtetit çdolloj informacioni të nevojshëm në punën e saj
Organet shtetërore apo entet publike janë të detyruara që brenda 10 ditësh ti japin informacion policisë së shtetit, në raste emergjente ky afat mund të bëhet dhe më i shkurtër.
Policia e Shtetit administron dhe përdor për nevoja të përmirësimit teknologjik, të kushteve të punës dhe shpërblimit të punonjësve që kanë ndihmuar në zbulimin e veprave penale të parashikuara në këtë ligj, shumën e parave kesh dhe 60% të vlerës së aseteve të sekuestruara e konfiskuara.
Strukturat përgjegjëse dhe kontrolli i ligjshmërisë
Në drejtorinë e Përgjithshme të policisë së shtetit do të ngrihet një strukturë e posaçme e quajtur Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, e cila do të jetë po ashtu në varësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Shtetit, e cila do të veprojë së bashku me drejtorinë e Antiterrorit, dhe do të kenë drejtori në të 12 drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit.
Kontrolli i ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga policia
Gjatë gjithë veprimtarisë së strukturave të drejtorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së Antiterrorit do të kontrollohen nga strukturat eprore hierarkike për ligjshmërinë e kryerjes së veprimeve dhe moskalim të kompetencave.
SHÇBA ushtron kontroll të vazhdueshëm ndaj tyre, në mënyrë që të zbatohet ligji në mënyrë korrekte.
Prokuroria ushtron kontroll për zbatimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga strukturat policore për zbatimin e masave parandaluese.
Shpërdorimi dhe abuzimi me informacionin dhe kompetencën.
Kryerja e veprimeve joligjore, abuzuese dhe në kalim të kompetencave në zbatimin e masave të përcaktuara në këtë ligj nga punonjësit e policisë përbën vepër penale.
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare.
(Faxweb.al)