Genc Ruli është thërritur së fundi nga Prokuroria e Tiranës për tu pyetur në lidhje me privatizimin e CEZ.
Kjo për shkak të funksionit të tij si ish-ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.
Po a e ndjen veten Ruli një peshk të madh, dhe a mund të jetë ai ‘kurbani’ përpara syve të ndërkombëtarëve?
“Do ishit ju një peshk i madh?”, pyeti gazetarja Vasili, por përgjigjja e ish-ministrit ishte mjaft e goditur: “Peshq, balena, çfarë të duan. Nuk i njoh shumë peshqit, përveç dallimit që mëson nga kurioziteti fëminor, pra që dallon balenën nga cironka”, tha Ruli.
Po ashtu Ruli foli dhe për situatën e vështirë që po kalon PD-ja, duke u shprehur se nën drejtimin e Lulzim Bashës mungon vizioni.
“Sot PD e shoh të dobët. Nuk ka vizion.Në mënyrë alegorike, është si puna e lojtarëve që gjuajnë topin, por nuk e ndjekin për të bërë gol. Ka një problematikë nga rrezatimi që ka bërë Berisha. Basha si të thuash nuk është se ka një fluks të madh drite për të krijuar shumë karizëm.
Ai kryetar është, por puna është sa je lider. Ai s’po fiton dot dritën e vet, imagjino edhe një prozhektor nga pas, sa e zbeh (Berisha). Kam patur gjithmonë shpresën se ndoshta një kërcim aq i papritur nga numër dy apo tre në vendin e parë. Një njëri duhet të përgatitet për të qenë lider”, u shpreh më tej ish-ministri.
(E.K/FAXWEB)