Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek Aleksis Tsipras do të takohen sot në Davos.
Ky takim është paralajmëruar prej disa ditësh, ndërsa pritet të nisë nga ora 09 e 45 e ditës së sotme. Po ashtu një tjetër detaj është fakti se takimi do të jetë relativisht i gjatë, rreth 90 minuta.
Dje kryeministri grek ka pasur një tjetër takim të rëndësishëm me kryeministrin Maqedonas Zaev, ku është arritur marrëveshja që të ndryshohet emri i aeroportit dhe të autostradës kryesore në vend.
Po ç’pritet që të diskutohet në takimin Rama-Tsipras:
Biseda mes të dyve pritet që të jetë një zgjatim i takimit mes dy ministrave të jashtëm Bushati dhe Kotzias që u zhvillua pak ditë më parë në Korçë, dhe më herët në Kretë.
Nga takimet e zhvilluara në Kretë dhe Korçë, Bushati dhe Kotzias janë shprehur optimistë në lidhje me ecurinë e negociatave, ndërsa nuk kanë dhënë detaje mbi çështjet që janë dakordësuar dhe ato që kanë mbetur pezull.
Por pas këtyre takimeve, ka nisur kërkimi për eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke, gjë që ka sjellë reagimin në Shqipëri të çamëve, që kanë akuzuar qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Edi Rama se nga bisedimet ka avancuar axhenda greke, por jo ajo shqiptare.
Bushati dhe Kotzias kanë deklaruar se çështjet e diskutuara do të bëhen publike nga Kryeministrat e dy vendeve, ndërsa Edi Rama në një deklaratë të para pak ditëve është shprehur se gjithçka që do të dakordësohet do të përfshihet në një marrëveshje të re. Rama është shprehur optimist për heqjen e ligjit të luftës nga Greqia, duke e cilësuar atë si një dokument që do i përkasë historisë.
Të presim dhe të shohim nëse të paktën kryeministrat do të tregohen transparentë.
(E.K/FAXWEB)