Ditën e martë, në Bruksel, do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar para medieve në Beograd se në takimin e së martës delegacioni serb do të përfaqësohet në nivelin më të lartë, ndërsa ka shtuar se arsyeja kryesore është treni i ndalur para pak ditësh.
“Serbia do të përfaqësohet në nivelin më të lartë. Do të jemi unë dhe presidenti Tomislav Nikoliç. Shpresoj që kurrë më të mos përsëritet përdorimi i armëve në mjediset e banuara me serbë. Të shmangen provokimet. Besoj që për këtë do të kemi sukses, sepse do të investojmë shumë mund dhe punë, në mënyrë që të sigurojmë ardhmëri ekonomike dhe të sigurt për qytetarët tanë, për njerëzit në Serbi”, ka thënë Vuçiç.
Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë lidhur me takimin e paralajmëruar për ditën e martë në Bruksel dhe as për nivelin e përfaqësimit të Kosovës në këtë takim. (A.R/SHUPLAKA)