Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për sot vendimin për vlefshmërinë ose jo të shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga Kuvendi.
Seanca do të rinisë rreth orës 10:00 të ditës së sotme dhe do të jetë sërish maratonë, njësoj si të martën, kur nuk u mor dot një vendim, me kërkesat e njëpasnjëshme të palëve, kryesisht për çështje proceduriale.
Vetë Meta ka bërë një postim provokues gjatë ditës së sotme, në rrjetet sociale, ku shkruan:
“Mirëmëngjes të dashur miq! Kryesorja në jetë të ruajmë 1 dhe të mos e kemi mendjen te shtimi i zero, sepse pa 1 gjithçka zhbëhet në zero absolute”.
Postimin e tij Meta e shoqëron me videon e mëposhtme:
Gjatë seancës së të martës në Gjykatën Kushtetuese, përfaqësuesi ligjor i presidentit Meta kërkoi përjashtimin e trupës gjykuese nga çështja, pasi sipas tij një pjesë e tyre ishin në konflikt interesi. Kërkesa e Bledar Dervishajt u rrëzua në mënyrë unanime nga Gjykata.
Më tej, përfaqësuesit ligjor të presidentit kërkuan gjithashtu që që votimi i shkarkimit duhet të bëhet nga Kuvendi i ri pasi mandati i atij që e shkarkoi ka mbaruar, se Kuvendi i kaluar ishte jo legjitim etj.
Përfaqësuesit Kuvendit e mazhorancës Klotilda Bushka dhe Taulant Balla janë shprehur se Presidenti po tenton të zvarrisë procesin.
Vetë Dervishaj u shpreh i bindur se Kushtetuesja nuk do të votojë pro shkarkimit të Metës./faxweb.al